Banorët e Santorinit përjetuan një natë plot ankth dhe pasiguri, pas aktivitetit të vazhdueshëm sizmik që ka ngritur alarmin në ishull.
Shumë qytetarë, të shqetësuar nga frika e lëkundjeve të reja të forta, zgjodhën të kalonin natën jashtë, duke u strehuar në makina apo në zona të sigurta të treguara nga autoritetet lokale.
Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve kërkuan mbrojtje pranë spitalit, ku një grup i forcave të EMAK-ut është vendosur për të ndërhyrë menjëherë në rast emergjence. Të tjerë u mblodhën në stadiumin Messaria dhe në ambiente të hapura, për të shmangur çdo rrezik.
Në mbrëmjen e djeshme, situata ishte gjithashtu e tensionuar, pasi banorët, të frikësuar nga tërmetet e njëpasnjëshme, shpejtuan të rezervonin bileta për t’u larguar nga ishulli.
Anijet dhe avionët janë gati të mbushura, dhe ndodhen radhë të gjata për të siguruar një vend larg Santorinit.
Një problem shtesë është çmimi i biletave ajrore, të cilat janë rritur ndjeshëm për shkak të kërkesës, duke e bërë edhe më të vështirë largimin.
Biletat për linjën Santorini-Athinë kanë arritur deri në 200 euro për ulëset e fundit të disponueshme.
Ndërkohë, Blue Star CHIOS, me 1100 pasagjerë, u nis këtë të martë drejt Pireut, shumica e të cilëve janë qytetarë shqiptarë. Po ashtu, punonjësit dhe stafi i hoteleve janë nisur gjithashtu nga ishulli.
Shumë nga ata që po largohen nga Santorini shprehen shqetësim për mundësinë e një cunami, pasi aktiviteti sizmik ka shtuar frikën për pasoja të tjera.
Në përgjigje të situatës, shkollat janë mbyllur dhe autoritetet lokale kanë shpallur masa sigurie, duke identifikuar pikat e sigurta për grumbullim në rast emergjence.