Ergys Vogli, një 37-vjeçar i shpallur në kërkim nga policia për disa vepra penale është arrestuar këtë të enjte nga blutë e Durrësit.
Vogli akuzohet se rreth dy javë më parë ka kanosur një shtetas për t’i marrë automjetin, duke pretenduar se pronari i kishte një borxh prej 1200 eurosh. Pas hetimeve intensive, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” arritën të lokalizojnë dhe kapin 37-vjeçarin.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, policia gjeti një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa të ndarë në doza të gatshme për shitje, si dhe një peshore elektronike dhe municion luftarak të kalibrave të ndryshëm. Këto materiale janë sekuestruar menjëherë.
Materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë e Durrësit, për të mundësuar veprime të mëtejshme ligjore ndaj Vogli-t për akuzat e ngritura, që përfshijnë kanosjen, vjedhjen dhe mbajtjen e lëndëve narkotike dhe municionit.