“Grup kriminal”- SPAK kërkon dënimin e ish-shoferit të Ardi Veliut, gruas e vajzave

Në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit u zhvillua këtë të mërkrurë seanca gjyqësore ndaj Sokol Idrizajt dhe familjes së tij.

SPAK kërkoi dënimin ish-shoferit të drejtorit të Policisë Ardi Veliu, bashkë me familjen e tij, gruan dhe dy vajzat.

E gjithë familja është vënë nën akuzë nga SPAK për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Gjatë dëshmisë së tij në gjyq, Idrizaj hodhi poshtë akuzat dhe theksoi se mediat kishin abuzuar me rastin, duke shpifur dhe baltosur emrin e tij dhe të familjes.

“Edhe në kohën e komunizmit, një familje e tërë nuk është futur në burg,” deklaroi Idrizaj. Ai shtoi se rrobat e sjellura nga Franca nga vajza e tij janë vërtetuar nga shteti francez si të ligjshme dhe nuk janë të vjedhura. “Nuk mund të akuzohemi për fshehje të të ardhurash në vlerën e miliona lekëve, kur jetoj në një shtëpi me çati llamarine,” shtoi ai.

Avokati i Idrizaj, Ardian Visha, e cilësoi ngritjen e akuzës si një veprim të paprecedentë, duke theksuar se Prokuroria ka vepruar me tepër zell për të ngritur akuza ndaj një familjeje të tërë. Ai gjithashtu theksoi se Sokol Idrizaj ka një karrierë 35-vjeçare në polici dhe është i pajisur me certifikatë sigurie. Visha sugjeroi se kjo çështje është fryrë mediatikisht, për shkak se Idrizaj ka shërbyer si shofer i Ardi Veliut.

Gruaja e Sokolit, Elda Idrizaj, shprehu dëshpërimin e saj për këtë situatë, duke thënë: “U bëra gjyshe në burg, ne jemi një familje e rregullt. Vajza ime sillte rroba për ti shitur online me qëllimin për të siguruar disa të ardhura shtesë. Na është shkatërruar jeta nga kjo histori. Ç’lidhje kemi ne me grupin e strukturuar kriminal?”

Vajza e Sokolit, Egi Idrizaj, e cila është gjithashtu e akuzuar, theksoi se nëse do të kishte ditur që do të përfundonte në këtë situatë për një faqe online shitjesh, nuk do të kishte hyrë në këtë veprim. Ajo shtoi se prokuroria kërkon 10 vjet burg për të, ndërkohë që ajo është nënë e një djali një vjeç.

Vajza tjetër e Sokolit, Bora Idrizaj, shprehu pasigurinë dhe trauma që ka shkaktuar kjo histori në jetën e saj: “Nga kjo histori kam mbetur pa punë, na është shkaktuar një traumë të madhe, jam vetëm 22 vjeç.”

Grupi ku bënte pjesë Sokol Idrizaj, gruaja e tij dhe dy vajzat, por dhe persona të tjerë akuzohet se transportonin nga Franca në Shqipëri, bizhuteri të vjedhura dhe dhe mallra kontrabandë që kapin vlerën e rreth 2.8 mln euro.

Më pas sendet e vjedhura dhe të kontrabanduara tregtoheshin në Shqipëri përmes faqeve online.

Të Fundit