Në emisionin “Stop” me 7 janar 2025 u denoncua një rast tragjik nga Laçi, ku Feriz Lami akuzon neglizhencën mjekësore për humbjen e jetës së të birit, Fatjon Lami, 38 vjeç. Fatjoni, i cili pësoi një infeksion nga minjtë teksa vadiste misrin në korrik 2024, u shtrua disa herë në urgjencën e spitalit të Kurbinit, por nuk iu kryen ekzaminime mjekësore të nevojshme. Ai u dërgua me vonesë në spitalin Infektiv në Tiranë në gjendje kome, ku ndërroi jetë.
Shefi i Urgjencës në Laç, Agron Lala, pranoi se rasti është trajtuar me neglizhencë. Drejtoria e Policisë Lezhë ka nisur procedim penal ndaj tij për “Shpërdorim detyre,” pasi dyshohet se mosveprimi sipas protokolleve çoi në këtë tragjedi. Prokuroria e Lezhës po heton për të dokumentuar përgjegjësitë ligjore. Ndërkohë, një tjetër banor i zonës, që u trajtua në kohë, arriti të shpëtonte.