Kreu i qeverisë Edi Rama e quan mision të përmbyllur votën e diasporës. Gjatë takimit të 4-ët vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës ku ishte i pranishëm, kreu i qeverisë tha se për herë të parë në historinë demokratike të Shqipërisë, qytetarët shqiptarë jashtë vendit do të mund të votojnë pa qenë të detyruar të udhëtojnë drejt Shqipërisë.
Rama: Jemi sot me kokën lart përpara gjithë shqiptarëve jashtë atdheut edhe për një arsye që tani është një mision i përmbyllur, të paktën për sa na takon ne, vota e diasporës. Një mision jo i lehtë për hir të së vërtetës, një mision që është i lidhur me një vullnet që shkon përtej ndasive partike dhe që kërkon një votë më të madhe në numër se sa ajo e një shumice qeverisëse, arsye pse jemi vonuar për një kohë të gjatë….por më në fund edhe si rezultat i këshillit koordinues kombëtar të diasporës edhe si rezultat i mobilizimit të zërave në diasporë u realizua.
Sot jemi në prag të një procesi zgjedhor ku për herë të parë në historinë demokratike të Shqipërisë, qytetarët shqiptarë jashtë vendit do të mund të votojnë pa pasur detyrimin të udhëtojnë drejt Shqipërisë, por thjesht duke përdorur postën aty ku banojnë. Sfidë më vete, nuk e shoh kryetarin e KQZ, por me siguri do të jetë i pranishëm më tutje për të dhënë edhe ai këndvështrimin e tij teknik mbi vështirësitë e këtij procesi dhe nevojën e mobilizimit të të githëve për ta ushtruar atë të drejtë sepse ka një proces që herën e parë është kompleks për të realizuar regjistrimin si votues dhe më pas bëhet më i thjeshtë.