Sipas një vendimi të bashkisë së Milanos, nga 1 janari 2025 do të ndalohet pirja e duhanit edhe në ambientet e hapura të qytetit italian.
Sipas vendimit, duhani do të ndalohet në rrugët, oborret, zonat e hapura të restoranteve dhe kafeneve.
Përjashtim bëjnë vetëm zonat e izoluara në të cilat çdo duhanpirës duhet të ketë një “hapësirë të lirë”, pa shtetas të tjerë, në një rreze prej të paktën dhjetë metrash.
Gjobat, për ata që nuk respektojnë ndalesën e re, do të fillojnë nga 40 dhe do të arrijnë në 250 euro.
Bashkia e Milanos sqaroi se kjo masë e re ka të bëjë vetëm me “cigaret tradicionale” dhe jo ato elektronike.
Që në vitin 2021, në metropolin verior të Italisë ka hyrë në fuqi ndalimi i parë, sipas të cilit pirja e duhanit nuk lejohet në zonat ku qytetarët ushtrojnë, luajnë fëmijët e vegjël, si dhe në stacionet e autobusëve, varrezat dhe ambientet sportive.