Akuzoi për përdhunim 3 lojtarë, gruaja pranon se gënjeu: Shpresoj të më falin…

Një grua, e cila në vitin 2006 akuzoi 3 lojtarë të lojës së lakrosit të universitetit “Duke” se e kishin përdhunuar, një ngjarje që bëri bujë në media dhe nxiti tensionet racore, klasore dhe debate mbi privilegjet e atletëve të universiteteve, pranoi publikisht për herë të parë se kishte gënjyer për ngjarjen.

46-vjeçarja Crystal Mangum, një grua me ngjyrë deklaroi në një intervistë për podkastin “Let’s Talk with Kat” se “kishte trilluar një rrëfim të pavërtetë” mbi lojtarët e bardhë, të cilët kishin qenë të pranishëm në një mbrëmje ku ajo ishte ftuar të punonte si kërcimtare për të rritur, duke shtuar se këtë e kishte bërë “ngaqë kërkoja miratimin e njerëzve dhe jo nga Zoti”.

“Dhashë një dëshmi te rreme kundër tyre, duke thënë se më kishin përdhunuar, ndonëse nuk e kishin bërë këtë gjë dhe e kisha gabim”, deklaroi ajo në intervistën e transmetuar të hënën. Intervista ishte regjistruar muajin e kaluar në Shërbimin Korrektues për gra të Karolinës së Veriut, ku Mangum po vuan dënimin për vrasjen me thikë të partnerit të saj në vitin 2011.

Ish-lojtarët u shpallën të pafajshëm në vitin 2007 pasi dëshmia e saj nuk mund të provohej gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm të shtetit erdhi në përfundim se nuk kishte dëshmi të qëndrueshme se përdhunimi kishte ndodhur dhe hetimet nuk gjetën shenja të ADN-së, dëshmitarë apo prova që ta konfirmonin rrëfimin e të burgosurës Mangum.

Prokurorit të Durhamit, i cili e mori përsipër rastin Mangum, iu hoq leja për të ushtruar profesionin për shkak të gënjeshtrave dhe shkeljeve etike. Prokurorët në atë kohë refuzuan të padisin Mangum për akuza të rreme.

Ish-lojtarët e lakrosit arritën një marrëveshje me universitetin në vitin 2007 pasi e kishin paditur universitetin për mënyrën se si i kishte menaxhuar pretendimet për përdhunim.

E burgosura Mangum, e cila u shpall fajtore për vrasje të shkallës së dytë në vitin 2013 dhe pritet të lirohet nga burgu në vitin 2026, i tha autores së podkastit se shpreson që tre personat e akuzuar pa të drejtë ta falin.

“Dua që ata ta dinë se i dua dhe se nuk e kishin merituar këtë gjë”, tha ajo.

Autorja e podkastit, Kat DePasquale tha se ajo i kishte shkruar të burgosurës Mangum, ngaqë ishte kureshtare për rastin që dikur kishte marrë vëmendjen e publikut dhe se ajo i ishte përgjigjur letrës së saj, duke i thënë se dëshironte të fliste.

Të Fundit