Donald Trump shpallet njeriu i vitit nga revista prestigjioze “Time”. Presidenti i zgjedhur u vlerësua me titullin prestigjioz, siç argumenton kjo revistë “për rikthimin e përmasave historike, nxitjen e një riorganizimi politik që ndodh vetëm një herë në një gjeneratë, për dhënien e një forme të re presidencës amerikane dhe për ndryshimin e rolit të Shteteve të Bashkuara në botë”.
Kjo është hera e dytë që Trump merr këtë titull. Hera e parë ishte sërish menjëherë pas zgjedhjes për mandatin e parë presidencial në 2016-ën.
Titulli u jepet personazheve më me ndikim të vitit në Shtetet e Bashkuara, qoftë për mirë apo për keq. Vitet e fundit, “njeriu i vitit” u është akorduar edhe Joe Bidenit, Kamala Harris e Taylor Swift.
Këtë të enjte, Trump u ftua edhe për t’i rënë këmbanës hapëse të ditës së bursës së Nju Jorkut, një nderim simbolik për kontribuesit për mbarëvajtjen e aktivitetit të kësaj burse, që ka reaguar pozitivisht pas rizgjedhjes së tij. Bursa e Nju Jorkut pati rritje në mandatin e tij të parë.