Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu vijojnë takimet këshilluese me prindërit dhe mësuesit për kufizimin e rrjeteve si Tik Tok. Pasditen e sotme janë ndalur në shkollën “Halit Coka”, në Kamëz.
Kreu i qeverisë tha se vitet e fundit situata ka ndryshuar dhe tashmë shkollat në Kamëz janë njësoj si shkollat e reja në kryeqytetet e Evropës. Duke u ndalur te përdorimi i rrjeteve sociale nga fëmijët, kreu i qeverisë tha se edhe prindërit shpesh bëhen palë në gabim, kur për të fituar një moment qetësie, i lejojnë fëmijët të qëndrojnë me “shokun” e tyre vitrual, siç është Tik Tok.
Rama: Sot fëmijët tanë nuk janë vetëm me ne, me mësuesit dhe me shokët. Sot ata kanë dhe një shok tjetër që për fat të keq e preferojnë më shumë se ne, që është shoku që iu del kur futen në telefon, nëpër rrjetet sociale. Posaçërisht në Tik Tok. Ata kanë një shok që ju thotë të kundërtën e të gjitha gjërave që mund t’iu themi ne në shtëpi, mund t’i thotë mësuesi në klasë, etj,. Iu thotë të kundërtën dhe ia bën shumë lehtë. Ju e dini çfarë lufte është për t’ia marrë nga dora. Ne të gjithë bëhemi palë në gabim, kur për të pasur një moment qetësie ia lëmë në dorë “shokun” dhe ata nuk ndihen më, nuk ia dëgjojmë zërin.
Rama tha se ky është një fakt që përballen të gjitha shoqëritë dhe ka nisur një debat se çfarë po ndodh dhe si mund të ndalohet ajo që po ndodh në raport me fëmijët tanë.
Rama: Nëse flasim për Tik Tok problemi është që në vendet tona bazohet në një algoritëm që stimulon të gjitha ato gjëra që nuk duhen stimuluar. Tik Tok-u në Kinë, është komplet tjetër. Ne jemi në këtë bashkëbisedim sepse jemi të prirur të besojmë që bllokimi i plotë i Tok Tok, do të ishte një rrugë, qoftë edhe për një periudhë, për të parë se çfarë do të bëjnë të tjerët, si do të gjejnë mekanizma të tjerë, dhe për ta hequr një shok shumë të keq nga duart e fëmijëve e për të pasur më shumë kontroll.
Ajo që duhet kuptuar nga të gjithë, është që këto rrjete janë të ndërtuara si gropa thithëse dhe çdokujt i çojnë më shumë në bazë të gjërave që çdokush klikon. Kanë të njëjtin efekt siç kanë droga, i bëjnë njerëzit të varur nga ekrani. Kur vjen puna te më të rinjtë, gjërat e ndaluara, tërheqin më shumë. Në fund të ditës edhe bllokimi i Tik Tok është një ndihmë, por jo zgjidhje. Nuk ka asnjë zgjidhje nëse nuk ka më shumë përfshirje të familjes, shkollës dhe natyrisht edhe institucioneve të tjera, në funksionin të zgjerimit të perimetrit të sigurisë.