Luis Meçja, 14-vjeçari që u plagos me thikë gjatë sherrit ku u vra shoku i tij Martin Cani, ka dalë nga spitali.
Luisi u godit me thikë nga një moshatar i tij, Mario Prelleshaj, i cili tashmë është arrestuar nga policia dhe ndodhet në institucionin për të mitur në Kavajë.
Kujtojmë se lidhur me ngjarjen që ndodhi pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, i plagosuri prentendon se ka dy autorë, por Policia e mohon një gjë të tillë.
Përmes një komunikate zyrtare, Policia tha se nga hetimet dhe provat e administruara, përfshirë pamjet filmike, rezulton se autor është vetëm një.
Krimi i rëndë ndodhi ditën e hënë (18 nëntor) në kryeqytet, kurse sherri mes të miturve nxënës kishte nisur prej ditës së premte dhe janë ngritur pikëpyetje se si askush nuk arriti ta parandalonte krimin. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar, një tjetër 14-vjeçar, që Gjykata e Tiranës e la në paraburgim.
Gjithashtu gjeti të premten (22 Nëntor), ditën që u dha masa e sigurisë për të dyshuarin, edhe thikën e hedhur bashkë me çantën pranë ATSH-së dhe Gjykatës së Apelit Tiranë.
Kjo ngjarje e rëndë ka ngritur edhe debatet për kufizimin apo mbylljen e rrjeteve sociale TikTok dhe Snapchat, nga ku ka nisur sherri, por edhe janë postuar video pas krimit nga autori. Nisma është lancuar nga kryeministri Edi Rama, si fushatë kundër bullizmit, rrjeteve sociale dhe parandalimit të ngjarjeve të tjera të ngjashme.