Shqipëria feston sot 112-vjetorin e Pavarësisë. Me rastin e kësaj feste kombëtare, aktivitete të shumta janë planifikuar ditën e sotme.
Sipas traditës shumë vjeçare, në Vlorë do të zhvillohet ceremonia e ngritjes së flamurit, ku do të marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit.
Ndërsa në Tiranë do të zhvillohet parada kuqezi. Parada do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” rreth mesditës.
Në këtë aktivitet do të marrin pjesë mbi 350 grupe artistike nga anë e mbanë botës kudo ku flitet shqip.
Parada Shqiptare për Festën e Pavarësisë synon të rikthejë vëmendjen tek vlerat e kostumeve popullore, riteve, traditave por dhe trashëgiminë e historisë së kombit te brezat e rinj.
Edhe Kryeministri Edi Rama ka uruar pavarësinë përmes një postimi në rrjetet sociale me anë të videoje.
“Me jehonën e këngës “Për ty, Atdhe”, nga Sheshi i Flamurit në Vlorë, te Kalaja e Rozafës në Shkodër dhe Sheshi Skënderbej në Tiranë, ju uroj Gëzuar Ditën e Pavarësisë”.