“Ndërhyri në zgjedhje”- Rumania kërkon hetimin e ‘TikTok’

Këshilli Kombëtar Audioviziv në Rumani i ka kërkuar Komisionit Evropian që të hetojë zyrtarisht mbi rolin e platformës sociale “TikTok” në zgjedhjet presidenciale të vendit.

Lajmin e bëri të ditur një koordinator i krahut ekzekutiv të Bashkimit Evropian, i cili tha se Brukseli është në kontakt me institucionet rumune dhe se po i ndjek me vëmendje zhvillimet atje.

Kalin Georgesku, një kandidat i së djathtës ekstreme që garoi në mënyrë të pavarur, doli fitues i raundit të parë të zgjedhjeve me 22.95 për qind të votave, kryesisht për shkak të performancës së fuqishme në “TikTok”.

Rritja e figurës së tij kaloi pa u vënë re nga sistemi politik dhe fitorja e tij përbën herën e parë kur një kandidat i panjohur fiton zgjedhjet vetëm përmes një fushate të sofistikuar mediatike.

Reformistja Elena Laskoni, nga qendra e djathtë, doli e dyta me 19 për qind të votave dhe dyshja tani do të përballet në balotazhin e 8 dhjetorit.

Platformat më të mëdha online në BE, përfshirë “TikTok”, “Meta” dhe “X”, duhet të ndjekin rregullat e transparencës në bazë të Aktit për Shërbimet Digjitale, që hyri në fuqi në gusht të vitit 2023-shit.

Më herët gjatë vitit, Komisioni miratoi gjithashtu disa udhëzime për mënyrën se si mund të zbuten efektet e rrezikshme të tyre përpara dhe gjatë zgjedhjeve.

Edhe pse platforma kineze aplikon ndalimin e të gjitha formave të publicitetit politik dhe promovimin e subjekteve apo kauzave politike, profilet e politikanëve dhe partive nuk janë të ndaluara.

Të Fundit