Fëmijë dhe prindër kanë dalë sërish në protesta për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij Mario P., krim i ndodhur më 18 Nëntor pranë derës së shkollës “Fan Noli”.
Marshimi ka nisur nga shkolla 9-vjeçare “Fan Noli” drejt Ministrisë së Arsimit.
Protestuesit i kanë bërë thirrje qytetarëve që të zgjohen dhe ngrihen nga kafet, duke iu bashkuar në marshim.
“Jemi të shqetësuar, kërkojmë siguri në shkolla dhe edukim të posaçëm për fëmijët për shenjtërinë e jetës, bullizmi dhe armët në shkolla duhet të marrin fund”, thotë një prind.
Kjo është protesta e tretë e prindërve dhe nxënësve për vrasjen e 14-vjeçarit, i cili u godit me thikë në zemër disa herë nga bashkëmoshatari i tij, i cili ditën e djeshme (26 Nëntor) u dërgua në burg për të mitur.
Qytetarët kanë paraqitur një sërë kërkesash, mes tyre dhe dorëheqjen e ministres së Arsimit.
Po kështu ata kërkojnë zbardhjen e ngjarjes së rëndë që tronditi të madh e të vogël dhe drejtësi për Martinin, siguri për të gjithë fëmijët.
“Jam prind i tre fëmijëve, të tre te ‘Fan Noli’. Jemi shumë të shqetësuar nga ngjarja e fundit. Ne kërkojmë që shenjtëria e jetës njerëzore të jetë në radhë të parë. Kërkojmë më tepër siguri në shkolla, rritje të numrit të psikologëve. Një edukim të posaçëm të fëmijëve për shenjtërinë e jetës.
Bullizmi dhe armët e ftohta në shkolla duhet të marrin fund njëherë e mirë. Kemi pasur dhe në probleme, por jemi angazhuar për të mos i lënë të agravohen. Duhet një ndërgjegjësim dhe një edukim më i mirë. Nuk mjafton të marrë dhjeta dhe të jetë ekselent. Ne nuk do ta lëmë deri sa kjo çështje të ketë një zgjidhje, qoftë për hetimin e çështjes, qoftë për rritjen e sigurisë në shkolla”, tha një prind.
“Ajo që ka ndodhur te Fan Noli nuk është një rast i izoluar. Nëse do ketë kontrolle në shkolla të tjera do zbulohen shumë raste. Më tmerron dhe më bën të ndihem e pasigurt ajo që mund të ndodhë”, tha një qytetare.