Nga përgjimet e përftuara nga SPAK, gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu rezulton se është përfshirë në një tentativë për t’u hakmarrë ndaj drejtuesit të emisionit “Stop”, Saimir Kodra. Ky i fundit e ka denoncuar shpesh në emisionin investigativ që transmetohet në Tv Klan çështjet korruptive të kësaj gjyqtareje.
Një nga figurat e krimit i ka vendosur gjyqtares në dispozicion një telefon SkyEcc, e cila përmes këtij telefoni ka komunikuar me personazhe të tjerë të krimit, duke porositur goditjen e gazetarit Kodra. Lidhja mes gjyqtares dhe bandës mundësohet nga vajza e saj, Megi Fetah, e cila shprehet se ‘mami u kënaq kur i thash se do të flasi me ju’.
Për të realizuar aktin kriminal, gjyqtarja ka angazhuar Endri dhe Klejdi Çopja.
Endri Çopja është një personazh i njohur në botën e krimit dhe pjesë e bandës së Suel Çelës. Çopja akuzohet për atentatin me tritol ndaj Lulzim Kullës në janar të vitit 2018, besohet për llogari të Behar Bajrit, pasi Kulla konsiderohej si lidhje e Licëve dhe kunat i Fatbardh Licit, i ekzekutuar. Endri Çopja ka qënë pjesë e ngjarjes së 18 Shtatorit 2017, në Elbasan ku një makinë e blinduar, nën drejtimin e dyshuar të Suel Çelës, goditi automjetin e nëndrejtorit të policisë lokale.
Pra, bëhet fjalë për një personazh me rrezikshmëri të lartë shoqërore, e angazhuar nga gjyqtarja Pajtime Fetahu për të goditur dhe mbase eliminuar fizikisht Saimir Kodrën.
Krimi nuk është realizuar pasi grupi kriminal nuk e kanë gjetur dot Saimir Kodrën. Dhe për këtë, grupi kriminal ka një shpjegim.
Një nga anëtarët e grupit, Marjus Lulaj, komunikon me gjyqtaren Fetahu, duke u shprehur se “Për çunin e vogël…nuk ka asnjë lidhje me djegien e makinave. Ai mund të ketë djegur shpin e familjarëve të Sajmirit të Stopit, kte se kam të sigurt hahaha. Në fakt atë e kan ba shokët e mir Endri me Kledin. Në fakt unë doja ta dëmtoja direkt Saimirin. Ishte e pamundur, ruhej shumë. Flinte te “Plaza” vetë qeni, por do ta kap. Atë që të ka ba ty ai do ta paguajë 10-fish. Do më falësh që nuk jam marrë shumë me të, se e di jemi të ngarkuar. Ta kalojmë këtë valë, nuk të falet, do ta paguajë për atë që të ka bërë ty. Me atë jan marrë personalisht shokët e mi të ngushtë Endri me Kledin“.
Gjyqtarja Pajtime Fetahu është e shqetësuar nga denoncimet e aferave të saj nga emisioni Stop. Ajo paralajmëron bandën se rrezikon të pezullohet nga detyra nga këto denoncime dhe në këtë mënyrë grupi mbetet pa mbështetjen e saj në gjykatë.
Sipas dosjes, në shënjestër të gjyqtares Pajtime Fetahu për t’u hakmarrë ishte edhe avokati Arben Llogazi, të cilin gjyqtarja e shihte si rrezik të madhe si personin kyç që i jepte informacion gazetarit Saimir Kodra për aferat e saj.
Gjatë komunikimeve me Marjus Lulajn, pjesë e grupit të Suel Çelës, bashkë me Endri dhe Klejdi Çopja, Pajtime Fetahu thotë që të kenë parasysh edhe avokatin Arben Llangozi. Grupi kriminal i përgjigjet se avokat Llangozi do të përfundonë si avokati Ravik Gurra, i cili u ekzekutua në vitin 2019 në mes të Elbasanit. Pra, krahas Saimir Kodra, në shenjestër të gjyqtares dhe grupit kriminal të Suel Çelës ishte edhe avokati Arben Llangozi.