Pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij, ditën e sotme prindër dhe nxënës u mblodhën bashkë për tu solidarizuar në një marshim protestë nga shkolla “Fan Noli’ në Tiranë që u vendos më pas përballë Ministrisë së Arsimit.
Marshimi protestë vjen si qëllim për sensibilizimin e institucioneve dhe shoqërisë që ngjarje si ajo e vrasjes së Martin Canit të mos ndodhin më.
“Kjo vrasje ka autor që duhet të mbajë përgjegjësi. Institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi. Nuk ka asnjë komunikim zyrtar e më lën të dyshoj që oficeri i sigurisë, mësuesja, drejtoresha e shkollës, ministria e arsimit nuk e ka bërë detyrën e vet sa duhet.
Qeveria që e sheh përgjegjësinë tek mbyllja e TikTokut tregon se nuk e ka bërë punën si duhet”, thotë një vajzë pjesë e protestës.
“Rrjetet sociale janë të rrezikshme por nuk mund të hiqet përgjegjësia nga qeveria! Ministrja duhet të japin menjëherë dorëheqjen.
As për një minutë heshtje nuk u mbajt në Kuvend ndërsa ministret flisnin me njëra tjetrën. Nuk janë nëna, i ka mbyt pushteti dhe leku” thotë një tjetër qytetare.
Qytetarët mbajnë në duar dhe pankarta të tjera ku shkruhej: ‘‘Dhimbja e një nëne është thirrja jonë për ndryshim”, ‘‘Fëmijët duhet të jetojnë jo të vriten”, ‘‘Në një shkollë që duhej ta mbronte, një fëmijë humbi jetën”.