Anija Libra” me 8 emigrantët e radhës që vijnë nga marrëveshja midis Shqipërisë dhe Italisë ka mbërritur mëngjesin e së premtes në portin e Shëngjinit.
Anija u nis dy ditë më parë me destinacion Shqipërinë.
Qeveria e udhëhequr nga Meloni po përdor këtë anije për kapur në det të hapur emigrantë – burra të rritur dhe të shëndetshëm që vijnë nga vende të konsideruara të sigurta – dhe për t’i dërguar fillimisht në qendrën e Shëngjinit dhe më pas në atë të Gjadrit, sipas marrëveshjes së nënshkruar me Shqipërinë.
Në 16 tetor mbërritën në Shqipëri 16 emigrantët e parë, ku 4 prej tyre u kthyen pas disa orësh në Itali, pasi ishin të mitur, 2 për shkak të problemeve shëndetësore. Pjesa tjetër, u dërgua nga kampi në Shëngjin drejt Gjadrit, për t’u rikthyer pas 3 ditësh sërish në Itali. Sipas një Gjykatës së Romës, vendet e origjinës, si Egjipti dhe Bangladeshi, nuk bëjnë pjesë tek vendet e sigurta, bazuar në një vendim të Gjykatës së Bashkimit Evropian.
Fill pas këtij vendimi, në Itali ati debate të forta, midis pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, të cilit Qeveria iu përgjigj duke blinduar me ligj listën e “vendeve të sigurta” dhe duke mbajtur në të Egjiptin dhe Bangladeshin.
Opozita në Itali akuzon Melonin se po shpërdoron paratë, pasi vetëm për një emigrant, shpenzimet për ta sjellë në Shqipëri janë rreth 18 mijë euro. Ata kërkuan që Meloni t’i paguajë këto para nga xhepat e ministrave të saj.