Pak orë nga shpallja e fituesit të presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeministri Edi Rama deklarohet se në garën më të ethshme elektorale nuk ka mbështetur asnjë kandidat. Në intervistën e dhënë për gazetën italiane “Il Gironale” kreu i qeverisë thotë:
“Unë nuk jam duke u mbështetur për askënd, por duke ditur se ajo fushatë elektorale e pafund dhe shumë përçarëse do të përfundojë më në fund, më ndihmon të marr frymë më lehtë”,-tha kryeministri Rama.
Dy ditë nga samiti i Komunitetit Politik Evropian në Hungari ku liderët e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor bëhen bashkë, kryeministri është i mendimit se burokracitë po e bëjnë kontinentin evropian të vështirë për zhvillimin e biznesit dhe teknologjisë.
“Për fat të mirë, unë duhet të kujdesem për Shqipërinë e vogël dhe nuk më takon mua të zgjidh shumë çështje që kanë ardhur në krye në Europë. Por ka diçka tmerrësisht mbresëlënëse në faktin se, ndërsa Europa humbet peshën dhe konkurrencën në skenën ekonomike globale, makina e saj e jashtëzakonshme burokratike vazhdon të prodhojë rregulla dhe kufizime që e bëjnë kontinentin tonë një vend gjithnjë e më të vështirë për biznesin dhe për inovacionin”,-u shpreh Rama.
Për marrëveshjen për refugjatët dhe pas vendimit të një gjykate të Romës për të kthyer në Itali emigrantët që duhet të strehoheshin në kampin e Gjadrit në Lezhë, Edi Rama tha se nuk është përgjegjësi e shtetit shqiptar ekzekutimi i marrëveshjes.