SPAK ka sekuestruar një apartament të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili sipas hetimeve rezulton i padeklaruar.
SPAK njofton se banesa në fjalë ndodhet në zonën e Lungomares, Vlorë dhe vlera me të cilën është blerë është 67 milionë lekë.
Ndërkohë, Beqaj, sipas SPAK nuk ka deklaruar as investimet e kryera në këtë apartament për të cilin më pas ka lidhur edhe një kontratë qiraje. Por SPAK shprehet se ndonëse ekziston kjo kontratë, e lidhur mes një miku të ngushtë të Beqajt dhe partneres së këtij të fundit, rezulton se ish-ministri sërish qëndronte në këtë apartament.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rendisim faktet si më poshtë:
Në vitin 2016, me kontratën e porosisë lidhur mes shoqërisë ndërtuese R…K… shpk dhe shtetasit I.F është prenotuar apartamenti në vlerën 6,700,000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekë.
Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ana e personit nën hetim I.B dhe bashkëshortes së tij, proces i cili ka zgjatur deri në fillim të vitit 2019. Sipas aktit të ekspertimit vlerësues, vlera totale e investuar shkon deri në 5,064,700 (pesë milionë e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind) lekë.
Në shkurt të vitit 2020 është lidhur kontrata e qerasë mes shtetasit I.F (lidhje e ngushtë shoqërore e I.B) dhe A.B (bashkëshortja e I.B). Pavarësisht këtij fakti ka rezultuar se personi nën hetim I.B dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të sendit të paluajtshëm deri në fillim të vitit 2019.
Të gjitha këto fakte në tërësinë e tyre vërtetojnë ekistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e veprimit juridik, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Si pasojë, SPAK ka vendosur “sekuestro preventive” mbi apartamentin me sipërfaqe 90.8 m2, sipërfaqe verande 61.2m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7m2