Rufat Sefa, 60 vjeç është arrestuar nga Policia paraditen e kësaj të hëne në Kukës.
Sipas informacioneve nga Policia, 60-vjeçari dyshohet se ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes të tij, si dhe kanoste atë dhe fëmijët e tyre, me armë zjarri.
Teksa policia vuri në pranga Rufat Sufën, gjatë kontrollit në banesë gjeti dhe sekuestroi 3 armë zjarri dhe municion luftarak, që i posedonte 60-vjeçari, në banesë.
Njoftimi i policisë:
Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon një ngjarje të mundshme kriminale në familje, në fshatin Arrën.
Arrestohet në flagrancë 60-vjeçari që ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes të tij, si dhe kanoste atë dhe fëmijët e tyre, me armë zjarri.
Sekuestrohen 3 armë zjarri dhe municion luftarak, që i posedonte 60-vjeçari, në banesë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, pas njoftimit se një shtetas ushtronte dhunë ndaj familjarëve të tij dhe i kanoste ata me armë zjarri, kanë organizuar menjëherë punën për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale. Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Reaction”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. S., 60 vjeç, banues në fshatin Arrën.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit R. S. dhe në vendin afër banesës, ku ai u kap në flagrancë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.