Çmenduria e kinezit, udhëtoi 13 mijë kilometra me biçikletë për t’u takuar vetëm 1 minutë me Ronaldon

Një tifoz 24-vjeçar kinez i ikonës së futbollit Cristiano Ronaldo përfundoi udhëtimin prej 13.000 kilometrash, që zgjati plot 7 muaj me biçikletë, për të takuar idhullin e tij në Arabinë Saudite. Kujtojmë se ylli portugez luan për klubin saudit Al Nassr, me seli në Riad.

Sipas “South China Morning Post”, fansi, i cili e ka mbiemrin Gong, është nga provinca Anhui e Kinës lindore dhe e kishte nisur këtë udhëtim tepër sfidues më 18 mars të këtij viti.

Ai kaloi nëpër 7 shtete të ndryshme përpara se të mbërrinte në kryeqytetin e Arabisë Saudite. Kinezi mbërriti në vendin e Lindjes së Mesme më 10 tetor dhe u takua me Ronaldon më 20 tetor. Al Nassr i premtoi atij takimin një minutësh me Ronaldon.

Raporti thotë se Gong vendosi të nisej me biçikletë drejt Riadit për të takuar Ronaldon, pasi superyllit portugez iu desh ta anulonte udhëtimin e tij në Kinë në shkurt.

Gong mbante me vete “banka energjetike 60.000 mAh, një tendë, enë gatimi, rroba dhe disa gjëra thelbësore të jetës” në udhëtimin e tij 7-mujor, ndërsa jetonte vetëm me bukë në vendet ku nuk kishte mundësi të blinte ushqim për shkak të çmimeve të larta.

“Në gusht, ai vuajti nga ethet e larta në Armeni dhe u rrëzua në anë të rrugës. Menjëherë u dërgua në spital për mjekim falas”, – thuhet në raport.

Kur u takuan, Ronaldo shtrëngoi dorën me Gong, e përqafoi fansin e çmendur kinez dhe i firmosi një fanellë të Al Nassr me nr.7. Gjithashtu, la autografin e tij në një pankartë ku shkruheshin emrat e miqve të Gong dhe një fjali: “Ajo që ëndërroj është dashuria dhe liria e vërtetë”.

“Kam takuar heroin tim”, – tha Gong në një video që postoi në internet.

Të Fundit