Kanceri i gjirit nuk kursen as moshat e reja.
Mjekët senologë thonë se në spitalin onkologjik publik dhe klinikat private po shihen gjithnjë e më shumë vajza që sapo kanë mbushur 18 vjeç.
“Vitet e fundit është vënë re një ulje të moshës; kemi pasur raste edhe nga 18, 19, 20 vjeç. Në klinikën tonë të përditshme shohim raste të reja,” thotë kirurg-senologu Denis Godaj.
Statistikisht, 1 në 8 gra është në rrezik për kancer gjiri. Megjithatë, kur bëhet fjalë për gra që kanë histori familjare me sëmundje tumorale, ky raport ngushtohet.
“Ata që kanë ngarkesë gjenetike dhe kanë një të afërm me histori kancerale, fatkeqësisht, rreziku është më i lartë, 1 në 2 apo 1 në 3,” sqaron kirurgu.
Për të kapur në kohë kancerin e gjirit, mjekët rekomandojnë nisjen e kontrolleve periodike për çdo vajzë dhe grua nga mosha 40 vjeçare. Nëse ka histori familjare, kontrollet për gjirin duhet të nisin në moshën 30 vjeçare.