Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Piacenza të Italisë, ku një 14-vjeçare shqiptare është hedhur nga çatia e një pallati dhe si pasojë ka humbur jetën.
Hetimet lidhur me ngjarjen vazhdojnë, ndërsa ishte shoqëruar në polici edhe i dashuri i saj 15-vjeçar shqiptar, i cili ishte i pranishëm në momentin e hedhjes së vajzës. Pasi u mor në pyetje për një kohë të gjatë, ku kishte deklaruar se e mitura u hodh vetë, ai u la i lirë nga autoritetet. Ndërkohë për familjarët e viktimës, ai është i dyshuari kryesor.
“E hodhi poshtë, ajo nuk ishte e çmendur apo e dëshpëruar, ajo ishte një tjetër viktimë e dhunës”, shkruan motra e viktimës në rrjetet sociale. “Ishte i fiksuar pas saj, ajo përpoq në çdo mënyrë ta largonte”, ka shkruar ajo, duke publikuar edhe disa screenshot nga bisedat me motrën e tij të cilat nxjerrin në pah disa nga sjelljet e djalit të konsideruara si problematike.
Aktualisht po zhvillohen hetime intensive për të kuptuar se çfarë ka ndodhur përmes këqyrjes në vendngjarje, marrjes së dëshmive të personave që besohet se janë informuar për faktet dhe sekuestrimin e telefonit të viktimës.
Gjimnazistja shqiptare, sipas mediave italiane, ka rënë nga çatia e katit të shtatë, duke rënë në një tarracë të madhe tre kate më poshtë. Trupi i saj u transportua në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Pavia për autopsinë e cila duhet të kryhet në fillim të vitit të ardhshëm. Miqtë e viktimës pohojnë se ajo nuk kishte ndonjë shenjë që do kryente vetëvrasje” dhe se ajo po planifikonte një udhëtim në Paris me nënën e saj.