Një grup prej rreth 30 deputetësh të Partisë Demokratike kanë protestuar këtë të mërkurë jashtë ambienteve të Parlamentit Europian, ndërkohë që disa kolegë të tyre vijuan takimet zyrtare me eurodeputetët.
Deputetët Edi Paloka, Zheni Gjergji, Lefter Gështenja, Ramadan Likaj, Flamur Hoxha, Bledion Nallbati, Edmond Spaho, Kreshnik Çollaku, Asllan Dogjani, Isuf Çela, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Tritan Shehu, Sorina Koti, Kastriot Piroli, Tomor Alizoti, Dhurata Çupi, Qani Xhafa, Xhelal Mziu, Dashnor Sula, Saimir Korreshi, Ilda Dhori, Ludovik Hasanaj, Kasem Mahmutaj, dhe Petrit Doda, kanë marrë pjesë në atë që ata e cilësojnë si një fushatë sensibilizuese për të njohur eurodeputetët me faktet e arrestimit politik të Kryetarit të PD dhe Liderit të Opozitës, Sali Berisha.
Ata kërkojnë monitorimin e situatës dhe lirimin e menjëhershëm të Berishës, duke e cilësuar këtë veprim si një përpjekje për të cënuar barazinë e palëve në zgjedhje. “Jemi në një vit zgjedhor, dhe drejtësia po përdoret për të goditur drejtuesit e opozitës, në mënyrë që Edi Rama të konkurrojë me vetveten dhe të mbajë pushtetin me dhunë,” shprehen ata.
“Deputetët demokratë e konsiderojnë arrestimin e Sali Berishës si një hakmarrje politike nga Kryeministri Edi Rama ndaj Partisë Demokratike.
Duke përdorur një formë origjinale dhe të veçantë për të tërhequr vëmendjen e eurodeputetëve, ata theksojnë situatën e rëndë ku ndodhet vendi.
Shqipëria, e cila është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përballë akuzave ndaj Kryeministrit Rama se ka shkatërruar shtetin ligjor, ka asgjesuar balancën mes pushteteve dhe ka eliminuar zgjedhjet e lira. Sipas deputetëve të PD, Shqipëria është vendi i vetëm në Europë që qeveriset me prova të pakontestueshme të lidhjeve me krimin e organizuar, deri në pikën që organizatat kriminale diktojnë edhe kandidatët për deputet në listën e Partisë Socialiste”, theksohet mes të tjerash në njoftimin e PD.