Banorët e qarkut të Tiranës janë ata që kanë marrë një rekord kredish nga bankat e nivelit të dytë, por edhe nga institucionet financiare jo banka në gjysmën e parë të vitit. Duke qenë se qarku i Tiranës ka numrin më të madh të popullsisë dhe bizneseve, është e pritshme që të ketë edhe një numër më të madh aplikimesh për kredi.
Por, nga të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë vërehet se në krahasim me bilancin e tremujorit të parë dhe në krahasim me qarqet e tjera të vendit, Tirana ka pasur rritjen më të lartë me gati 4.7% të kredive të marra nga qytetarët dhe bizneset.
Padyshim që rritja e kostove të jetesës ka bërë që të rriten edhe shpenzimet e familjeve shqiptare, duke i drejtuar ato shpesh për kredi në banka, apo në institucionet e mikrokredisë. Konkretisht, vlera e huasë së marrë në qarkun e Tiranës arriti në 597 miliardë lekë në fund të tremujorit të dytë, nga 570 miliardë që ishte në periudhën paraardhëse.
Pavarësisht se Fieri dhe Elbasani janë dy qarqet më të mëdha pas Tiranës në terma të popullsisë, durrsakët dhe vlonjatët kanë marrë më shumë kredi se ata në gjysmën e parë të vitit.
Nga statistikat e Bankës së Shqipërisë rezulton se 76.3% e totalit të kredisë është përqendruar në Tiranë, ndjekur nga Durrësi dhe Vlora më përkatësisht me 6% dhe 2.2%.
Ndërkohë, qarqet e tjera më të vogla të vendit si Kukësi, Dibra, Berati, Gjirokastra, bashkë përbëjnë vetëm 7.8% të totalit të kredisë, ose 61 miliardë lekë gjithsej.