Nga Plani i Rritjes Ekonomike sipas një përllogaritje jozyrtare, Shqipëria do të mund të përfitojë në total 922 milionë Euro, ndërsa si mjete “parafinancuese” 64.5 milionë.
Më 16 Tetor, KE ndan fondet e Planit të Rritjes
Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë Euro nga ky Plan i Rritjes. Mbi 250 milionë Euro, Kosovës do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive.
Maqedonia e Veriut do të mund të ketë në dispozicion 750 milionë Euro, ndërsa pagesa e parë për të do të ishte 52.5 milionë.
Serbisë do t’i ndaheshin gjithsej 1.58 miliard Euro, ndërsa pagesa e parë për të do të ishte 111 milionë. Mali i Zi do të kishte në dispozicion gjithsej 383 milionë Euro, ndërsa si “parafinancim” 26.8 milionë.
Bosnje e Hercegovina, nga totali i planit, do të kishte në dispozicion 1 miliard e 85 milionë Euro, ndërsa si “parafinancim” 76 milionë.
Por, para se të bëhen këto pagesa, vendet përfituese duhet t’i nënshkruajnë marrëveshjet dhe t’i ratifikojnë ato në parlamentet e tyre kombëtare, sepse dy miliardë Euro do të jenë para pa kthim, ndërsa të tjerat do të jenë kredi të favorshme.
BE ka vendosur në këtë rast edhe kushtet që duhet të përmbushen gjatë gjithë procesit të realizimit të projekteve.
Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, kontrollin financiar dhe auditimin e duhur sipas standardeve evropiane, ndërsa në rastin e Kosovës dhe të Serbisë, kusht specifik është edhe angazhimi konstruktiv në normalizimin e raporteve mes tyre.
Në rast të keqpërdorimit të këtyre fondeve, BE-ja do të mund të kërkojë kthimin e tyre, ndërsa mjetet e pashfrytëzuara nga ndonjë vend, do të mund të shfrytëzoheshin për një vend tjetër të rajonit.