Gjykata e Posaçme i ka kthyer 5 pasuritë e sekuestruara kompanisë “Arlis Ndërtim”, të cilat ishin porositur nga Oltion Bistri dhe familjarët e tij, për të cilat kishin paguar 1 milion e 300 mijë euro.
Shoqëria “Arlis” Ndërtim kishte kërkuar revokimin e pjesshëm të vendimit nr. 19 për sekuestron e pronave të Oltion Bistrit dhe familjarëve të tij, për 5 prona, apartamente dhe dyqane.
Gjykata hoqi nga sekuestro këto pasuri që ishin me kontratë porosie nga ish-shefi i Operacionales, i akuzuar për shpërdorim detyre. Çështja ishte kundërshtuar në gjykatë nga avokati i kompanisë “Arlis”. Ndërkohë që edhe nga ana e SPAK nuk pati kundërshtime.
Por çfarë ndodh me këto pasuri pas këtij vendimi?
Paratë që kompania kishte marrë nga Bistri dhe familjarët, i kalojnë Drejtorisë së Administrimit të Aseteve të Pasurive të Sekuestruara, ndërsa apartamentet dhe dyqanet i kthehen shoqërisë “Arlis”.
Kjo e fundit pretendoi se Bistri kishte porositur 5 apartamente në ndërtim, madje kishte bërë edhe pagesën, por që pas disa kohësh, kërkoi prishjen e kontratës pasi nuk donte t’i blinte apartamentet dhe kontrata ishte zgjidhur. SPAK ra në gjurmët e pronave gjatë verifikimeve në fazën hetimore, ku rezultoi sipas saj se pronat ishin si pjesë e pasurisë së drejtuesit të policisë dhe familjarëve të tij, dhe për këtë mori masën e sekuestros së 10 apartamenteve, 22 dyqaneve, 1 vile me sipërfaqe trualli 200m², një garazh dhe një automjet tip Range Rover viti 2012 me vlerë 3.1 milion euro.