Avokatët e ish kryeministrit Sali Berisha dhe të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dorëzuan të shtunën prapsimet në Prokurorinë e Posaçme, sa i përket materialit hetimor 500 faqe për privatizimin e ish klubit sportiv “Partizani”.
Mbrojtja ligjore e Jamarbër Malltezit ka bërë 250 faqe prapësime, ku pretendohet se nuk ka vepër penale dhe se SPAK ka bërë një hetim jo-etik.
Sa i përket pasurive, avokatët pretendojnë se janë të gjitha me burime të ligjshme.
Prapësime ka bërë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, ku në një material prej 15 faqesh, mbrojtja ligjore e tij ka kundërshtuar disa pika në lidhje me këtë hetim.
Financierja Andia Pustina dhe Xhimi Begeja po ashtu brenda afatit 10 ditor nga njoftimi i akuzës bënë kundërshtimet e tyre.
Materialet i janë dorëzuar me postë Strukturës së Posaçme, ndërkohë që SPAK pritet të kalojë dosjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme dhe kjo gjykatë do të ketë 10 ditë kohë për të caktuar gjyqtarin përmes shortit si dhe seancën paraprake.
Hetimet për dosjen “Partizani” u mbyllën në datë 25 shtator, ku SPAK thirri personat e pandehur për t’i komunikuar akuzat secilit.