Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është zyrtarisht i pandehur nga organet e drejtësisë. Gjatë paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme këtë të mërkurë, kreut të PD iu komunikua akuza për “Korrupsion pasiv kryer ne bashkepunim”.
Akuza u konfirmua nga avokati i Berishës, Genc Gjokutaj.
Berisha hodhi akuza ndaj SPAK për një process politik me qëllim goditjen e opozitës.
“Atë akuzë që kanë patur, asgjë tjetër. Asnjë gjë tjetër përveç 500 faqeve mashtrime.
Një hakmarrje politike, zbatimi i një urdhëri mafioz politik. Nuk ekziston asnjë dokument që të dëshmojë që në të gjithë këtë proces ka ndodhur shkelja më e vogël e ligjit. Nuk ka asnjë firmë të Berishës për kthimin dhe kompensimin e pronës. I gjithë qëllimi është kapja e kokës së Partisë Demokratike”, tha Berisha.
Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, po hetohen nga SPAK lidhur me procedurat për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Prej dhjetorit 2023, Berisha ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi më parë shpërfilli masën e detyrimit të paraqitjes.