Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka dalë mëngjesin e kësaj të premte me një mesazh, për të kujtuar 20 vjetorin e partisë që ai drejton, që dikur u themelua me emrin Lëvizja Socialiste për Integrim.
Në një postim në rrjetin social, Meta nuk ka nguruar të “thumbojë” ish bashkëshorten e tij, njëherësh edhe ish drejtuesja e LSI Monika Kryemadhin, duke e akuzuar atë për shitje mandatesh.
“Një mesazh në 20-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që hapi një faqe të re në jetën politike të vendit dhe që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në shpejtimin e proceseve integruese të vendit, deri në momentin katastrofik të shitjes të mandateve që solli kapjen mafioze të shtetit”, shprehet Meta.
Presidenti i PL më tej shpreh keqardhje për ata anëtarë që i janë larguar dhe i janë bashkuar sot PS, ndërsa theksoi se vetë ai sot ndihet më i ri dhe më i fortë, për të ringritur sërish forcën politike që ai drejton.
“Një keqardhje për të gjithë ata që e nisën si idealistë dhe përfunduan si patronazhistë dhe patronazhiste.
Dhjetëra bien (blihen), mijëra ngrihen!
Unë personalisht jam 20 herë më i ri se 20 vite më parë dhe 20 herë më i fortë se 20 vite më parë.
Konventa historike e 27 Prillit ishte një moment madhor për t’u ndarë njëherë e përgjithmonë me nepotizmin, me korrupsionin, me imoralitetin dhe për të vendosur njëherë e përgjithmonë integritetin, transparencën dhe meritokracinë si shtyllat që do të jenë garante për jetëgjatësinë dhe suksesin e Partisë së Lirisë shumë shpejt dhe për dekadat që do të vijnë!”, shprehet Meta.