Kriza demografike në Shqipëri po vjen me efekte shumëdimensionale negative sidomos në treguesit e fertilitetit dhe të lindshmërisë.
Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se në vend banojnë rreth 510 mijë femra në moshë riprodhimi (15-49 vjeç), por 42.6 për qind e tyre nuk kishin fëmijë.
Të ndara sipas grup moshave shihet se femrat që nuk po lindin deri në moshën 30 vjeç janë më të shuma në numër se ato që lindin.
Të dhëna të detajuara nga cens 2023 tregojnë se 10.5 mijë femra të grup-moshës 20-24 vjeç kanë lindur, përkundrejt 63.3 mijë që nuk kanë lindur. Në këtë grup -moshe 85 % e femrave nuk kanë lindur ende foshnjat e tyre.
Më tej në grup-moshën 25-29 vjeç sërish dominojnë femrat pa fëmijë, pasi 53 % e tyre nuk kanë lindur ende sipas cens. Në këtë grup-moshë numërohen 73,826 femra gjithsej, ku 37,679 nuk kanë lindur dhe 22,459 kanë lindur bebet e tyre.
Pas moshës 34 vjeç nisin e dominojnë femrat që kanë kryer lindje. Por ende në grup-moshë 30-34 vjeç 25 % e femrave nuk lindur ndërsa 75 për qind kanë lindur.
Në grup-moshën 35-39 vjeç ende 15 % e femrave nuk lindur asnjëherë dhe 73 % kanë lindur. Në grup-moshën 40-44 vjeç 12,4 për qind e femrave nuk ka lindur dhe në grup-moshën 45-49 vjeç 11 për qind e femrave nuk kanë lindur.
Emigracioni i lartë i meshkujve dhe zhvillimi i personal i femrave po ndikon në normat e fertilitetit. Në dekadat e fundit meshkujt synojnë të rrisin kapitalin e tyre duke emigruar dhe gratë synojnë të arsimohen. Kjo qasje ka thelluar hendekun në arritjet arsimore mes femrave dh e meshkujve duke bërë që shumë gra të zgjedhin karrierën.
Shtesa natyrore e vendit tonë është tërësisht e varur nga numri i grave në moshë riprodhimi, por ato po pësojnë rënie të shpejtë dhe për tepër një pjese e konsiderueshme e tyre nuk preferojnë të lindin.
Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se vitin 2023 në të gjithë vendin ishin vetë 508 mijë gra në moshën e riprodhimit (15-49 vjeç) nga mbi 710 mijë që u ishin ne censin 2011. Numri i tyre ndërmjet dy censeve ka rënë me mbi 28%, ose me shumë se dyfishi i popullsisë e përgjithshme (14%).
Në grup-moshat e reja, me potencialin më të madh për të lindur fëmijë, rënia ishte mbi 40 për qind.
Tkurrjen më të madhe e kanë femrat në 15-19 vjeç, të cilat janë pakësuar më shumë në numër se në vitin 2011.
Në vitin 2023 kishte vetëm 72 mijë femra nga 15-19 vjeç me rënie 45% nga censi 2011 ku ishin mbi 132 mijë femra të kësaj grup-moshe.
Rënia e grave në moshën riprodhuese do të ndikojë në normën e ulët të lindshmërisë në vitet në vijim dhe në reduktimin pa kthim të popullsisë. Femrat në grup-moshën 25-29 vjeç janë ulur me 21%. Rënien më të ulët vetëm -6% e kishin femrat në grup-moshën 30-34 vjeç, teksa reduktimi mbi 30 % është i pranishëm edhe në grup-moshat 40-44 dhe 44-49 vjeç.
Më 2023, në të gjithë vendin, kanë lindur vetëm 22,210 foshnja, niveli më i ulët që nga viti 1934 kur janë raportuar të dhënat zyrtare vjetore, por ndërkohë numri i grave në moshë riprodhimi është mbi 500 mijë.