“Të pranohet Shqipëria në BE”, kryediplomatja austriake: Në 2030, pjesë e Unionit

Bashkimi Evropian duhet të pranojë Shqipërinë dhe Malin e Zi si shtete anëtare dhe Komisioni Evropian duhet të inkurajojë kandidatët e tjerë përmes zgjerimit gradual.

Kështu ka deklaruar ministrja austriake për Evropën, Karolin Edtshtadler, në një intervistë për Euronews.

“Mendoj se brenda 2030-s do të ketë 29 vende anëtare, me Malin e Zi që do të bashkohet në 2028-n dhe Shqipërinë në 2030-n, pasi e kam parë me sytë e mi se sa ambicioze janë këto dy vende në këtë proces”, ka thënë Edtshtadler.

Shefja e diplomacisë austriake i vizitoi të dyja vendet në prill.

“Mund ta luftojmë rritjen e nacionalizmit në vendet kandidate, sidomos në Ballkanin Perëndimor, vetëm nëse i stimulojmë dhe kjo duhet të bëhet përmes integrimit gradual”, ka thënë ministrja.

Gjithashtu, ajo ka propozuar një përfshirje më të madhe të vendeve kandidate në mbledhjet e Brukselit, pasi kjo do të shtynte politikanët e këtyre vendeve të informonin qytetarët mbi procesin.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe i emëruari lituan për komisioner evropian Andrius Kubilius. Sërish në një intervistë për Euronews, ai ka theksuar se, BE duhet t’i kushtojë vëmendje ekspansionit në 5 vitet e ardhshme, duke lejuar edhe anëtarësimin e Ukrainës nëse do të jetë e nevojshme.

Kubilius, aktualisht euro-deputet dhe dy herë kryeministër i Lituanisë, ka nënvizuar se situata gjeopolitike imponon rikthimin tek filozofia e fillimviteve 2000, kur 10 vende iu bashkuan njëherësh bllokut evropian.

Duke cituar eksperiencën e vendit të tij si fqinj i Rusisë, Kubilius ka thënë se pret që proceset e zgjerimit dhe të mbrojtjes të kenë prioritet në portofolin e ardhshëm të Komisionit.

“Zgjerimi mund të jetë projekti lider, pasi duhet të përcaktojmë se si Bashkimi Evropian do të jetojë në 50 vitet e ardhshme”, ka shtuar zyrtari lituan.

Zgjerimi gradual kërkon që vendeve që synojnë anëtarësimin t’u ofrohen përfitime të pjesshme nga BE, teksa ato përmbushin kushte të caktuara dhe jo një qasje të tipit “të gjitha kushtet ose asgjë”, nga e cila përfitojnë vetëm vendet plotësisht të anëtarësuara.

Të Fundit