Familjarët e 61-vjeçares Tatjana Dajko, e cila ndërroi jetë tre ditë më parë në spitalin e Korçës hedhin një lumë akuzash drejt bluzave të bardha për neglizhencë.
Klotina Topulli, vajza e viktimës thotë se nëna e saj ndërroi jetë ditën e ditëlindjes së saj, teksa paralajmëron se do e ndjekin deri në fund me hapa ligjor çështjen e hapur ndaj mjekëve dhe infermierëve.
“Nëna jonë vdiq ditën e ditëlindjes do i prisnim tortën e ditëlindjes dhe na vdiq nga duart e mjekëve. nuk kanë vrarë vetëm atë, na vranë edhe ne. Mos e pastë njeri fatin e nënës tonë, do e ndjekim këtë çështje deri në fund.”, tha vajza e 61-vjeçares, Klotina Topulli në prononcimin për mediat.
Ajo tregon se 61-vjeçaren e kishin dërguar fillimisht në spital me një shtrëngim në gjoks, por bluzat e bardha i kishin thënë se kishte vetëm ankth, dhe pasi i kishin vendosur një hapje në gojë, i kishin kërkuar që të lironte shtratin për personat e tjerë dhe e kishin nxjerrë nga
spitali.
Më pas, Klotina Topulli tregon se gjendja e nënës së saj u përkeqësuar dhe pasi e dërguan për herë të dytë në spital, ajo kishte ndërruar jetë sapo kishte mbërritur.
E bija thotë se 61-vjeçarja kishte hemoragji nga hunda dhe goja dhe sipas saj, mjekët nuk mund të thonë se ka ndërruar jetë nga shkaqe të panjohura.
“E ka marrë mamin vëllai në 10 pa 10 e ka çuar në urgjencën e spitalit. Mami kishte shtrëngim të gjoksit dhe dhimbje në mes të shpatullave. E kanë shpënë atje i kanë matur tensionin dhe oksigjenin. I kanë bërë 1 qetësues dhe i kanë vënë një hapje nën gjuhë. Qëndroi 10 minuta shtrirë dhe i thanë ‘ngrihu se erdhi tjetri, ulu te stolat te korridori i urgjencës’. U ul aty priti pak dhe i vajti te dera doktoreshës i tha ‘a do ma matni prapë tensionin?’ Ajo i tha; “ik se nuk ke asgjë! Ke ankth, stres”. Kur doli nga dera e spitalit ajo po ndihej më keq. Kur erdhi në shtëpi tha po ndihem akoma më keq prej ilaçeve, nuk ndihem mirë.
E pamë që u bë më keq rreth orës 19 e 30 kemi marrë ambulancën, morëm makinën tonë dhe e çuam. Sa arritëm te dera e spitalit mamaja ka vdekur. Ajo kishte hemorragji nga hundët, nga goja si mund të thonë ata që ka vdekur për shkaqe të panjohura, natyrale kur ne e kemi paraqitur në 10 pa dhjetë në spital. Duhet të marrë masat shteti. Mos e pastë fatin asnjë siç e pati mamaja ime nga doktorët. Nuk vuante nga asgjë! Ishte 61 vjeçe, mbushi atë ditë që vdiq. Në spital nuk i bënë asgjë. Kur kam hyrë në 19:30 në spital që mamaja ime sa hyri te dera e spitalit ishte e vdekur ata kanë marrë EKG-në t’ja bënin. Kam bërtitur me të madhe të hapin kamerat, të shikohen. Ku u gjet EKG-ja tani? Pse nuk iu bë kur ishte e gjallë? Nuk i kanë bërë asgjë! E bënë më keq.”, tha e bija e viktimës.
Ndërkohë, edhe Anil Dajko, djali i të ndjerës tregon se çfarë ka ndodhur në spital mes nënës së tij dhe mjekëve.
“Nëna rrinte me mua. E mora në 10 këtu dhe e çova në spital. E pyeti doktoresha çfarë ke? I tha mamaja më dhemb gjoksi dhe kurrizi. I matën tensionin dhe oksigjenin. I bënë gjilpëra e ngritën u ul te stolat mamaja pas meje, u ngritëm prap i tha mamaja do më masni tensionin prap? Ik Ik i thanë nuk ke gjë një gjendje ankthi ke.
Duke ardhur rrugës për në shtëpi më tha mua, po më zë më shumë tani, por do më kalojë. Erdhëm në shtëpi jo më tha po më zë më shumë. Erdhëm në shtëpi do prisnin tortën e ditëlindjes mbesat, ajo sa hyri brenda u këput. Morëm ambulancën, prit të vinte, pas 12 min na tha jemi në Bulgarec, megjithatë mora makinën time, me sakrificë, e çova në spital, te dera e spitalit atëherë morën mjetet për mamanë time. Jo nuk bëhet ajo gjë, t’ia bënin shërbimet si vdiq. Përse e mbajtën në morg kur i kanë vënë ato diagnoza? Vdekje e menjëhershme??? Çfarë janë këto që shkruajnë, për të mbuluar plehrat? Unë çuditem, më copëtuan. Çfarë ka nxjerrë ekspertiza? Dua të drejtën e mamasë time, asnjë mos e ketë këtë fat të mamasë sime”, tha ai.
Ndërkohë nipi i viktimës u shpreh se klasifikimi i vdekjes si natyrale është “turp”, duke shtuar se mjekët janë tallur me ta.
“Turp, turp për këta doktora që kemi dhe për këtë shtet që krmi. Erdhi mjekoligjori aty dhe shikoni çfarë ka shkrujtur, është tallur me ne. Na i kanë dhënë ditën e dytë në 3 pasdite, cop cop personin. Borxh do merrnim se vetëm lek kërkojnë plehrat. Turp i Zotit, turp mos e dinë se do shpëtojnë.Të vihet drejtësia në vend në mos ka edhe mënyra të tjera. Do luajmë gurin e fundit jetën e xhaxhovicës time nuk e mori Zoti e mori robi.”, tha nipi i saj.