Konsumi i karburantit është rritur këtë vit në vendin tonë. Nga janari deri në gusht, doganat raportojnë për 381 mijë tonë naftë dhe benzinë të blerë nga konsumatorët, sasi kjo rreth 20 mijë tone më e madhe se 7-mujori i vitit 2023.
Rritja përkon me shtimin e makinave në rrugë dhe përdorimin masiv të mjeteve që përdoren përkohësisht nga turistët, në bizneset me logo “makina me qira”.
Një koment i Drejtorisë së Doganave thekson se trendi pozitiv i rritjes së konsumit po vijon edhe në muajin gusht, muaj i cili shënon edhe një rritje eksponenciale të turizmit, e me këtë ecuri, pritet që viti të mbyllet me 700 mijë tonë karburant të konsumuar.
Aktualisht Drejtoria e Doganave, e Tatimeve dhe Policia e Shtetit po monitorojnë zinxhirin furnizues të karburanteve, që nga importi, depozitat në zonën e lirë doganore, shitjes me shumicë dhe shitjen në pikat e furnizimit me pakicë.
Po ashtu po punohet me kryqëzimin e të dhënave mes sistemeve doganore dhe atyre tatimore, në mënyrë që të shmanget evazioni fiskal.