Pamfleti dhe drejtuesi i saj, Gjergj Zefi, janë përballur me një tjetër shantazh të rëndë. Një person ka kërkuar heqjen e një artikulli kritik, duke përdorur një gjuhë kërcënuese në një telefonatë nga numri +355697501908. Pas kërcënimit, numri është bllokuar.
Mesazhi i tij ka qenë i qartë: “Ky është fillimi i luftës së egër ndaj teje.” Kërkesa specifike ishte për të hequr nga gazeta artikullin me titull “Lidhje me dy vëllezër të dënuar për trafik droge, Izeti e Skënderi nga Mitrovica”.
Kjo ngjarje ngre pikëpyetje të mëdha për lirinë e shtypit në Shqipëri. Zefi lajmëron se ka përgatitur dokumentacionin për të paditur në SPAK institucionin SHISH për përdorimin e individëve për të kërcënuar gazetarët. Në të njëjtën kohë, kanë nisur kontaktet me institucionet perëndimore dhe nesër, gazetari Gjergj Zefi do t’u drejtohet zyrtarisht institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave që mbrojnë lirinë e medias.
Kujtojmë se një vit më parë, Zefi u përball me një atentat para redaksisë së gazetës, një ngjarje për të cilën fajtorët dhe urdhëruesit janë ende të lirë. Në një postim në Facebook, ai dënon veprimin dhe i bën thirrje organizatave të gazetarëve të reagojnë para se të jetë vonë.