Dhunoi për vdekje Egli Progën, flet Denis Meçe: Nuk doja ta vrisja, por t’i fusja një shpullë pasi më shau

Është zbardhur dëshmia e personit që dhunoi brutalisht deri në vdekje, 42-vjeçarin Eglantin Proga në Pogradec. Në dosjen e prokurorisë, thuhet se pak pasi është vetëdorëzuar në ambientet e Komisariatit të Policisë Pogradec i shoqëruar nga avokati i tij, Denis Meçe pretendon se nuk e njihte Egli Progën, por sipas tij ai e ka ofenduar pa shkak pasi ishte në gjendje të dehur.

“Gjatë kohës që ishim ulur ne lokal, vjen ky djali, emrin nuk ja dija. Ai na ka përshëndetur dhe ka hyrë në lokal, në një moment mua më kanë mbaruar cigaret dhe kam hyrë brenda i kam thënë pronarit të lokalit për cigare, por atje ky djali më ka thënë: ja se ta dredh një unë dhe unë për respekt ja mora. Sa kam kthyer kurrizin ky më shau. Unë i kam thënë po hajde pak jashtë të flasim, ai më shau sërish dhe kemi dalë jashtë. Unë kam dashur t’i fus një shpullë ta qetësoja por, sa i jam afruar kam ngritur dorën ai është rrëzuar në tokë dhe nuk u ngrit më. Mua nuk më është besuar hiç dhe pasi jam frikësuar nga situata jam larguar. Dua të them se unë kisha gjithë ditën që konsumoja alkool dhe me sa pashë edhe ai ishte i dehur”, ka thënë ai.

Denis Meçe është shprehur i penduar dhe i kërkon falje familjes duke theksuar se nuk kishte qëllim as ta vriste e as t’i shkaktonte dëmtime.

Vdekja e 42 vjeçarit është ende e mbulur me mister, ku dyshohet se ai është vrarë por ngjarja është munduar të mbahet e fshehtë. Ditën e djeshme gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për autorin e vrasjes së Egli Progës, Denis Meçe. Ndërsa për tre të akuzuarit për moskallëzim krimi Voltan Shulku, Arian Manellari, Leonidha Guçe, togat e zeza caktuan masën “detyrim paraqitje”.

Pas vendimeve të dhëna nga gjykata, ka reaguar edhe motra e Egli Porgës, ku tha se drejtësia nuk ka bërë drejtësi dhe se Egli u vra sërish. Sipas saj padrejtësia fillon që nga policia e shtetit duke filluar nga regjistrimet, ndërsa shtoi se vrasësit u lanë të lirë Një tjetër i afërm i viktimës është lutur mediave që të bëhet e pamundura për të zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarjeje të rëndë. Ai thekson se nga këta kriminela pritet gjithçka dhe se ata njihen në qytetin e Pogradecit për gjobëvënie. Ka dyshime se shkak i vrasjes së Egli Progës është pikërisht refuzimi i këtij të fundit për të t’i dhënë autorit paratë e “gjobës”, që ishte xhiroja ditore.

Të Fundit