Bizhuteri të vjedhura nga bagazhet e pasagjerëve, arrestohet punonjësi i aeroportit të Rinasit

Dy punonjës të bagazheve në aeroportin e Rinasit janë vënë nën akuzë si autorë të disa rasteve të vjedhjes së sendeve me vlerë, nga bagazhet e pasagjerëve. Njëri prej tyre është vënë në pranga nga policia, ndërsa tjetri do të hetohet në gjendje të lirë.

Zbulimi i tyre u bë pas një hetimi të komisariatit të Rinasit, të cilët kapën në flagrancë njërin prej punonjësve të fshihte bizhuteri të dyshuara të vjedhura nga bagazhet e pasagjerëve. Më pas, nga kontrollet e kryera tek dhoma e tyre iu gjetën 1250 Euro dhe bizhu të tjera.

Njoftimi i Policisë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas kanë konstatuar pranë kontenierëve ku ndërrohen punonjësit e bagazheve, njërin nga punonjësit, shtetasin L. Z., teksa fshihte bizhuteri të dyshuara të vjedhura nga bagazhet e pasagjerëve.

Më tej, është kryer kontroll në hapësirën ku mbanin sendet personale, shtetasi L. Z. dhe punonjësi tjetër i bagazheve, shtetasi M. S.. Aty janë gjetur 1250 euro dhe bizhuteri të tjera, të dyshuara të vjedhura nga bagazhet e pasagjerëve.

Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Vjedhja”, shtetasi L. Z., 19 vjeç, dhe është proceduar në gjendje të lirë, për të njëjtën vepër penale, shtetasi M. S., 24 vjeç, të dy banues në Krujë.

Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove dhe bizhuteritë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Policia Kufitare e Rinasit apelon për të gjithë pasagjerët, që për arsye sigurie, paratë dhe sendet me vlerë t’i mbajnë në çantat e dorës, jo në bagazhet e stivës, pasi kompanitë ajrore nuk mbajnë përgjegjësi për to.

Të Fundit