Hapet pas 32 vjetësh porta e tunelit të fortifikuar të Porto Palermos, Ministria e Mbrojtjes: Do bëhet qendër atraksioni turistik

Është hapur për herë të parë pas 32 vjetësh porta e tunelit të fortifikuar të Porto Palermos.

Ky është hapi i parë i një projekti të Ministrisë së Mbrojtjes për rijetëzimin dhe rehabilitimin e të gjithë kompleksit infrastrukturor në Gjirin e Panormës për funksione ushtarake dhe civile.

“Projekti synon mirëadministrimin e zonës, e cila ka nisur të jetë një destinacion turistik i privilegjuar, duke respektuar normat mjedisore dhe duke ofruar kushte sa më të larta sigurie lundrimore. Hapi tjetër do të jetë përshtatja joinvazive e objekteve të kompleksit që nuk gëzojnë më funksione ushtarake, me qëllim krijmin e një atraksioni turistik të qëndrueshëm.

Projekti synon gjithashtu të rikthejë në gatishmëri teknike këto asete të çmuara të Forcës sonë detare, të cilat mund të shërbejnë për qëllime stërvitjesh kombëtare dhe ndërkombëtare”, njofton Ministria e Mbrojtjes

Hapja e tunelit është kryer nën drejtimin e stafit inxhinierik te Batalionit të xhenios dhe kaloi pa asnjë problem pavarësisht mbi 3 dekadave mosaktivizim.

Tuneli shërbente si një bazë autonome për strehimin dhe kalimin e sigurt të mjeteve detare të marinës ushtarake të kohës, brenda gadishullit të Porto Palermos.

Hapja e portës prej çeliku e këtij tuneli ujor të veshur me betonarme ka vënë për herë të parë në lëvizje pas shumë kohësh mekanizmin e saj.

Ndërtimi i këtij tuneli nisi në 1969 dhe zgjati deri në vitin 1988. Ai shërbente për strehimin dhe kalimin e sigurt të mjeteve detare të marinës ushtarake të kohës, duke shërbyer njëkohësisht si një bazë e fuqishme dhe e mbrojtur.

Të Fundit