“Duhet të mbrojmë fëmijët”, pas Instagramit Turqia bllokon aksesin në lojërat online

Turqia ka bllokuar aksesin në platformën e lojërave online Roblox me arsyetimin se përmbajtja e saj është e papërshtatshme dhe mund të çojë në abuzimin e fëmijëve në vend

“Vendi ynë është i detyruar të sigurojë mbrojtjen e fëmijëve tanë. Përdorimi i teknologjisë në mënyrë negative nuk është kurrë i pranueshëm,” tha ministri turk i drejtësisë Yilmaz Tunç.

Zyra e Kryeprokurorit Publik në qytetin e Adanas nisi një hetim për Roblox, i cili përfundimisht çoi në kufizime mbarëkombëtare, raporton Reuters.

Një zëdhënës i Roblox, një platformë që pret lojëra video të krijuara nga përdorues të tjerë, tha se do të bashkëpunonte me autoritetet lokale turke dhe shpresonte se problemi do të zgjidhej së shpejti.

Ndalimi vjen pesë ditë pasi Turqia vendosi të bllokojë rrjetin social Instagram, i cili përdoret nga 57.1 milionë njerëz në vend.

Sipas portalit Turkiye Today, autoritetet në Ankara dyshohet se ishin të pakënaqura me faktin se Instagrami kufizoi postimet në lidhje me liderin e vrarë të lëvizjes palestineze Hamas, Ismail Haniyeh. Ky kufizim shkaktoi pakënaqësi në Turqi, pasi ky ndalim u cilësua si censurë.

Të Fundit