Tri emërimet e reja të Ramës në ministritë e rëndësishme

Kryeministri Edi Rama gjatë kongresit të PS-së ka bërë me dije ndryshimet në qeveri.

Rama emëroi tre ministra të rinj, Petrit Malaj për Ministrinë e Financave, Ervin Hoxha për Ministrinë e Brendshme dhe Pirro Vëngu në Ministrinë e Mbrojtjes.

Rama largoi Taulant Ballën pas një viti në detyrë, largoi Niko Peleshin dhe Ervin Meten.

Profil kush janë tre ministrat e rinj të qeverisë?

Pirro Vëngu

Pirro Vëngu është drejtori i Autoritetit Portual të Durrësit.

Vëngu ka mbajtur poste të rëndësishme gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama. Ai ka qenë edhe drejtori i Antikorrupsionit në Kryeministri.

Po ashtu Vëngu ka mbajtur më parë edhe postin e shefit të kabinetit në Ministrinë e Jashtme që dikur drejtohej nga Ditmir Bushati.

Petrit Malaj

Petrit Malaj aktualisht mban postin e drejtorit të AKBN-së.

Malaj është diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ka vijuar studimet për Master në “Business Administration” në Universitetin Wisconsin-La Crosse në SHBA, është kualifikuar për “Banking and Finance” në Universitetin Georgetown, SHBA, dhe më pas ka ndjekur një program kualifikimi për Drejtimin e Tregut të Kapitaleve, të Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Gjermanisë.

Ai ka një përvojë të pasur pune në sistemin bankar në Shqipëri dhe më pas është angazhuar si Drejtor Ekzekutiv në kompaninë “BDO Albania”, pjesë e BDO International, grupi i pestë më i madh në botë në fushën e Konsulencës Financiare, Auditit dhe Taksave.

Ervin Hoxha

Ervin Hoxha është një oficer i diplomuar në Akademinë Gjermane të Policisë. Ai ka punuar si drejtor i IKMT-së, ndërkohë që ka drejtuar mjaft sektorë të tjerë. Për më shumë se 20 vite ka shërbyer në funksione të ndryshme nga niveli ekzekutues deri në nivelet më të larta te drejtimit në institucione qendrore dhe ligjzbatuese të shtetit shqiptar si: Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë.

Ervin Hoxha ka lindur në Tiranë më 13.10.1978. Arsimin e mesëm 4-vjeçar e kreu në Shkollën Teknike të Përgatitjes së Nënoficerëve, (Teknik Astsubay Hazirlama Okulu) në Balikesir, Turqi. Më tej vazhdoi Akademinë e Lartë të Sigurisë (Offizier Schule des Herres) në Dresden të Gjermanisë. Në vitin 2006 përfundoi ciklin universitar në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.

Arsimin pasuniversitar e përfundoi me sukeses në Shkollën e Lartë të Policisë Gjermane (Deutsche Hochschule der Polizei), duke fituar titullin M.A. në Administrim Publik dhe Menaxhim Policor.

Ka ndjekur trajnime të certifikuara në nivelin e lartë të drejtimit dhe menaxhimit në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit në SHBA, Austri, Gjermani etj.

Për më shumë se 20 vite ka shërbyer në funksione të ndryshme nga niveli ekzekutues deri në nivelet më të larta të drejtimit në institucione qendrore dhe ligjzbatuese të shtetit shqiptar si:

Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë.

Ka kryer me sukses detyra të larta në nivelin drejtues si: Drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Shef i Njësisë Kombëtare Europol, Shef i Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol, Drejtor i Policisë Rrugore, Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, Drejtor i Hetimit Tatimor dhe Pastrimit të Parave, Zv. Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si edhe Drejtor Kabineti dhe Këshilltar i disa funksionarëve të lartë të shtetit shqiptar. Në datë 26.01.2022 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës me VKM nr. 57

Ervin Hoxha zotëron në nivel të avancuar gjuhën turke, gjermane dhe atë angleze.

Të Fundit