Komuniteti botëror është i tronditur nga atentati ndaj Donald Trump pasditen e djeshme, gjatë mitingut të tij parazgjedhor në Pensilvani.
Ish-presidenti amerikan ishte objektivi i të shtënave të cilat lanë pas një qytetar të vdekur dhe dy të plagpsur rëndë.
78-vjeçari Trump sapo kishte filluar fjalimin e tij kur u dëgjuan të shtëna.
Menjëherë kandidati republikan ka kapur veshin e djathtë, ndërsa fytyra iu mbulua me gjak.
Më pas ai pa dorën e tij me gjak dhe u ul në gjunjë përpara se anëtarët e Shërbimit Sekret të nxitonin rreth tij për ta mbrojtur.
Trump u rishfaq rreth një minutë më vonë, me kapelën e tij “Make America Great Again” dhe u dëgjua duke u thënë agjentëve “prit, prit”. Momentet tronditëse u kapën në video dhe foto që bënë xhiron e rrjetit.
Sulmuesi ka vdekur, sipas Shërbimit Sekret. Të dielën në mëngjes, FBI identifikoi autorin. Bëhet fjalë për 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks.
“Kam marrë një plumb që kaloi në pjesën e sipërme të veshit tim të djathtë”, shkroi Trump në Truth Social pak më vonë.
“Po më rridhte shumë gjak”.
Ekipi i fushatës së republikanit tha se ai “është mirë” dhe tashmë është larguar nga spitali.
Ron Moose, një mbështetës i Trump që ishte në tubimin e fushatës, tha se dëgjoi katër të shtëna.
“Pashë që turma po bërtiste dhe më pas Trump u ul në gjunjë”, shpjegoi ai.
“Pastaj Shërbimi Sekret vrapoi dhe e mbrojti sa më shpejt që të mundej. Brenda një sekonde ata e mbrojtën atë”, shtoi ai.
Moos vuri në dukje se më pas pa një burrë duke vrapuar dhe duke u ndjekur nga agjentët me uniforma ushtarake.
Ai dëgjoi të shtëna të tjera, por nuk është i sigurt se kush i qëlloi.
Ai theksoi se deri atëherë snajperët kishin zënë pozicione në çatinë e magazinës pas skenës.
BBC intervistoi një burrë që pretendoi se ishte dëshmitar okular i sulmit i cili tha se pa një burrë të armatosur me pushkë duke u ngjitur në çatinë e një ndërtese afër vendit ku po zhvillohej tubimi i fushatës.
Të shtënat duket se kanë ardhur nga jashtë perimetrit të sigurisë që kishte ngritur Shërbimi Sekret.