Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi njoftoi gjatë mbledhjes së KQZ të mbajtur këtë të premte heqjen e mandatit të Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës.
Vendimi i KQZ për Belerin vjen pas dënimit të tij nga Apeli i Posaçëm me 2 vite burg për blerje votash.
“Me bindje të plotë unë mendoj se jemi në kushtet e humbjes së mandatit të Bashkisë Himarë, nga Fredi Beleri. E shpall të pavlefshëm këtë mandat”, tha Celibashi.
Kreu i KQZ argumentoi se ligji i dekriminalizimit i jep kompetencë Komsionit Shtetëror të Zgjedhjeve që jo vetëm të ndalojë një person të dënuar të kandidojë për një post publik, por edhe t’i heqë mandatin një personi që dënohet me një vendim të formës së prerë gjatë ushtrimit të detyrës.
“Për rastin kur kandidon ligji i dekriminalizimit është i qartë, ku komepetenca e KQZ është e qartë që e ndalon të kandidojë.
Diskutimi ngelet nëse një person i cili e ka marrë këtë funksion publik dhe gjatë ushtrimit të detyrës kryen një vepër penale dhe merr dënimin diskutimi është a aplikohet ligji i dekriminalizimit apo jo. Nuk është çështje e KQZ se çfarë bëjnë Kryeministri dhe instutucionet e tjera për këtë rast, vendimarrja jonë nuk është e kushtëzuar nga çfarë vendimesh marrin këto institucione.
Situata është që kemi një kryetar bashkie të zgjedhur, i cili nuk ka mundur ta ushtrojë funksionin nga rrethanat që i dimë, edhe pse KQZ i dha mandatin. Kjo për KQZ nuk ka rëndësi në funksion të ligjit pasi mund të ishte dhe në rastin që mund të ishte në krye të detyrës.
Pyetja është a ka kompoetencë KQZ në bazë të ligjit të dekrimanilizimit për të zhvleftësuar një mandat të një subjekti që është dënuar gjatë detyrës me një vendim penal të formës së prerë.
Unë jam i bindur se po dhe këtij ligji i nënshtrohen më shumë akoma ata të cilët e kanë marrë detyrën. Ky ligj nuk të lejon ta marrësh detyrën, aq më tepër kur gjatë detyrës merr një dënim të formës së prerë”.
Me heqjen e mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri, duket se Himara do të shkojë sërish në zgjedhje në muajin në vijim.