Policia ka arrestuar ditën e sotme një 38-vjeçar të shpallur në kërkim nga drejtësia italiane pasi akuzohet për organizatë kriminale, armëmbajtje pa leje dhe trafikim narkotikësh.
Njoftimi i policsë:
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë, operacioni policor i koduar “Wanted 3”.
I akuzuar nga autoritetet italiane, për organizatë kriminale, armëmbajtje pa leje dhe trafikim narkotikësh, kapet në Tiranë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Itali, 38-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në inteligjencën informative mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Wanted 3”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë Rrugore kanë kapur në rrugën “Xhorxh Bush”, shtetasin A. F., 38 vjeç, i cili u arrestua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Gjenovës, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Viijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.