Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë hyri në ambientet e SPAK dhe doli prej andej me të njëjtën retorikë, duke sulmuar kreun e strukturës së Posaçme, Altin Dumani.

Ai u pyet për 3 orë për llogari të një hetimi të drejtuar nga prokurori Sotir Kllapi, në lidhje me një pagesë për lobim në SHBA, disa pagesa për ndërhyrje estetike jashtë vendit dhe verifikimet pasurore.

Ilir Meta: U pyeta 3 orë kot më kot për gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me mua, që kanë të bëjnë me veprime të të tjerëve. Unë jam pyetur në cilësinë e kundërshtarit të këtij narko-shteti dhe narko-regjimi që e mban në këmbë Dum Dumani.

Për të njëjtën dosje të mërkurën, u pyet edhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e cila pati një qasje tjetër ndaj hetimit, duke thënë se SPAK po bën punën e vet, por duke mohuar të jetë e përfshirë në paligjshmëri.

Prokuroria e Posaçme është duke përmbyllur veprimet hetimore në kuadër të kësaj dosje të regjistruar për disa akuza mes të cilave pastrimi i parave dhe mosdeklarimi i pasurisë.

Disa muaj më parë në pyetje është marrë edhe nëna e Monika Kryemadhit, në një kohë që në banesën e saj u ushtrua kontroll dhe ishin sekuestruar edhe disa aparate telefonike.

Tv Klan