“Pavarësisht se nuk është mbajtur dokumentacioni i nevojshëm për ndërtimin e mureve mbajtëse, muret mbajtëse të ndërtuara kanë shërbyer për pengimin e avancimit të shkarjes së dheut. Grupi i punës është i mendimit që kthimi i terrenit në gjendjen e mëparshme do të sillte pasoja dhe ngjarje të papritura në këtë shkarje dhe nuk do të rekomandonte bërjen e këtyre punimeve. Kostoja e kthimit në gjendjen e mëparshme dhe ribërja e të njëjtave punime do të ishte e rrezikshme. Për pjesën e paasfaltuar të rrugës dhe të kanalit në anën e sipërme grupi i punës rekomandon një periudhe monitorimi të situatës në vend për të parë rezultatet e qëndrueshmërisë së ndërtimit të këtyre mureve mbajtëse. Rekomandojmë edhe monitorimin e prurjeve të ujërave nëntokësore dhe hartimin e një projekti për largimin e tyre nga ky plan shkarjeje”.

Këta të pandehur, kanë konsumuar elementët e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim,  parashikuar nga neni 186/2, i Kodit Penal, pasi kanë paraqitur rrethana të rreme në këto konkluzione të cilat rrëzohen nga akti i ekspertimit të kryer nga Prokuroria e Posaçme dhe po ashtu nga deklarimet e shtetasit e I. D.

II. Hetimi i procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtim emergjent i murit mbajtës në trupin e rrugës në fshatin Ruzhdie, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme”, me numër  reference REF-86952-02-12-2021, me Autoritet Kontraktor Bashkia Patos, në vlerën 8,634,380.435 (tetë milion e gjashtëqindetridhjetëekatër mijë e treqindetetëdhjetë pikë katërqindetridhjetepesë ) lekë.

Nga analizimi i provave ka rezultuar se, e pandehura Rajmonda Balilaj,  në bashkëpunim me anëtarët e KVO -së, të pandehurit Anisa Petani, Shkëlqim Beqiraj dhe Enirjada Rizaj, kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 (përpara ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021 ) e 25, i Kodit Penal, duke favorizuar në kundërshtim me ligjin dhe shpallur fitues operatorin ekonomik “Genti 001”, në procedurën “Ndërtim emergjent i murit mbajtës në trupin e rrugës në fshatin Ruzhdie si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme”, me numër reference REF-86952-02-12-2021, dhe praktika e ndjekjes së punimeve dhe praktika e marrjes në dorëzim të objektit.

Në këtë procedurë prokurimi, me Autoritet Kontraktor Bashkia Patos, e pandehura Rajmonda Balilaj, ka paracaktuar fituesin, i cili është i njëjti operator “Genti 001”, duke dalë në “Apollon TV” dhe informuar fillimin e punimeve për këtë rrugë, në datën 06.02.2021, në një kohë kur shpallja e fituesit “Genti 001”, është bërë në datën 15.02.2021, dhe lidhja e kontratës me autoritetin kontraktor është bërë në datën 16.02.2021.

E pandehura Rajmonda Balilaj, ka bashkëpunuar me anëtarët e KVO-së të caktuar prej saj në urdhërin përkatës, të pandehurit Anisa Petani, Shkëlqim Beqiraj dhe Enirjada Rizaj, pasi ajo nuk kishte nga ta dinte se ky operator do të kualifikohej si fitues edhe pse ishte i vetmi garues në garë.

Në këtë mënyrë nga tërësia e elementëve objektive dalin edhe ato subjektive, pra bashkëpunimi i saj me anëtarët e KVO-së, pasi edhe këta të fundit kanë shpallur fitues operatorin “Genti 001”, edhe pse nga hetimi ka rezultuar se ky operator nuk i plotësonte të gjitha kriteret dhe dokumentacionin sipas DST dhe duhej skualifikuar.

/tvklan.al