“El Correo”: Shqipëria, destinacioni evropian në trend dhe tërheqës

Turizmi në Shqipëri po rritet vit pas viti falë plazheve me ujëra bruz, pamjeve mbresëlënëse të Alpeve Dinarike dhe akomodimeve me çmime të përballueshme, shkruan Carlos Doncel në të përditshmen spanjolle “El Correo”.

Vera po afron dhe bashkë me të edhe pushimet e shumëdëshiruara për çdokënd. Dhe, natyrisht, shfaqen edhe dyshimet si çdo vit: A ia vlen të bëni shpenzime të mëdha dhe të udhëtoni jashtë vendit apo të humbisni në ndonjë cep të Spanjës?

Duhet të dini se Suedia apo Islanda nuk përfaqësojnë gjithçka, ekzistojnë edhe vende ku një birrë kushton më pak se 4 euro.

Një nga destinacionet evropiane ku turizmi po lulëzon është Shqipëria, një vend në Ballkan që ofron plazhe, male, kulturë dhe gastronomi me çmime të përballueshme.

“Të dhënat e dëshmojnë këtë, numri i turistëve ndërkombëtarë u rrit me 53% në 2023 krahasuar me vitin 2019”, sipas të dhënave të Turizmit të OKB-së.

Kini parasysh se pesë vjet më parë ky vend ballkanik mirëpriti 5 919 329 turistë, një numër shumë i rëndësishëm duke pasur parasysh se në Shqipëri jetojnë më pak se 3 milionë banorë.

Çfarë të shihni në Shqipëri?

Qyteti më i populluar në Shqipëri është Tirana, kryeqyteti i saj.

Është një qytet i hapur dhe miqësor, ku ndërthuren ndërtesat e mëdha të arkitekturës komuniste me rrokaqiejt e ndërtuar së fundmi.

Dhe, për të shijuar qetësinë, qyteti ofron një gamë të gjerë hotelesh me çmime konkurruese.

Nga Alpet në Rivierën Shqiptare

Ky vend ballkanik prej 28 748 kilometrash katrorë u ofron vizitorëve plazhe me ujëra bruz dhe zona me natyrë të egër.

Nga Riviera Shqiptare deri në Alpet Dinarike, Shqipëria ka zona ideale për ata që duan të pushojnë ose që preferojnë të shohin peizazhe të vargmaleve si në kartolina.

Në Alpet Shqiptare, në veri, spikat rruga ndërmjet fshatrave Vallbonë dhe Theth, një shteg i vështirë rreth 15 kilometra i gjatë.

Pamjet, me majat përreth që i kalojnë 2500 metra lartësi, janë spektakolare për këdo që adhuron trekking.

Në jug, në bregun përballë ishullit grek të Korfuzit, shtrihet Riviera Shqiptare.

Qytete si Saranda, Ksamili apo Dhërmiu ofrojnë plazhe me rërë dhe ujëra të kaltra të ngjashme me Karaibet.

Ky është destinacioni turistik më i frekuentuar në vend.

Berati, qyteti i një mijë dritareve

Në pjesën jug-qendrore të vendit ndodhet Berati, qendra historike e të cilit u shpall nga UNESCO një Trashëgimi Botërore në vitin 2008.

Ky qytet me mbi 60 000 banorë është pasqyra më e mirë e arkitekturës osmane në Shqipëri.

Kishat dhe xhamitë alternohen në çdo hap, duke fshehur brenda afreske dhe ikona bizantine të punuara bukur.

Pjesë e listës së vendeve të trashëgimisë botërore është edhe qyteti i Gjirokastrës, i cili u shpall tre vjet para Beratit.

Kalaja, ndërtesat e stilit osman dhe pazari i vjetër janë atraksionet kryesore të këtij qyteti me histori shekullore.

ATSH

Të Fundit