Prokuroria e Elbasanit ka dhënë këtë të mërkurë pretencën për 4 adoleshentët e akuzuar për vrasjen e 15-vjeçarit Fatjon Bici, ngjarje e ndodhur një vit më parë në Gramsh. Sipas asaj që raporton gazetari Fatos Salliu, organi i akuzës ka kërkuar maksimumin e dënimit që parashikon Kodi i Penal për të miturit.
Kështu, për Orgito Çarçiun, i dyshuar si autori i vrasjes, prokuroria ka kërkuar dënimin me 12 vjet heqje lirie, ndërsa për bashkëpunëtorët e tij u kërkua 8 deri në 10 vite burg.
Më herët, gjykata ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar, që do të thotë se 4 adoleshentët do të përfitojnë nga ulja e dënimit me 1/3.
15-vjeçari Fatjon Bici u vra në Maj të 2023-t. Ai u godit me thikë në zemër, sapo la ambientet e shkollës “Asllan Hajdari”, aty ku dhe studionte. Pasi doli nga mësimi, ai pa në një rrugicë kushëririn e tij 15-vjeçar që po konfliktohej me 4 persona të moshës 14 deri 16 vjeç.
Pasi u konfliktuan verbalisht, të 4 adoleshentët goditën me thikë Bicin dhe kushëririn e tij. Si pasojë e plagëve të marra Fatjoni humbi jetën. Pas arrestimit nga policia, 4 të rinjtë pranuan se viktima nuk kishte pasur lidhje me konfliktin, por ndërhyri për të mbrojtur kushëririn.