Një fëmijë 3-vjeçar është deklaruar i humbur në Policinë e Durrësit. Fëmija jetonte me nënën e tij, ndërsa babai i kishte ndërruar jetë një vit më parë në një aksident rrugor. Denoncimi në polici është bërë nga nëna e fëmijës.
Fëmija kishte shkuar tek gjyshërit, prindërit e të atit, por prej 4 ditësh nuk gjendet. Kjo ka bërë që nëna ta denoncoj në polici, e cila fillimisht ka shoqëruar gjyshin e fëmijës Rexhep Gunin 58 vjeç. Ky i fundit pretendon se fëmija ka shkuar tek të afërmit në Kukës, por nuk gjendet as atje në adresën e dhënë. Ndërkohë në kërkim është shpallur gjyshja e fëmijës 3-vjeçar.
Nëna ka bërë denoncimin, pasi ish-vjehrri nuk i përgjigjej, por në polici deklaroi se nuk kishin konflikte dhe djalin e merrnin rregullisht, për disa orë në fundjavë.
Ajo shtoi për mediat se marrëdhëniet e saj me vjehrrin dhe vjehrrën nuk kanë qenë të mira që kur ndërroi jetë bashkëshorti i saj , një vit më parë në aksident.
Dyshohet se fëmija mund të jetë marrë dhe larguar jashtë shtetit. Ndërkohë është dhënë sinjal të ruhen pikat kufitare. Gjyshi nuk pranon të bashkëpunojë me policinë dhe vetëm ka heshtur.