Gjermania u bë të hënën vendi më i madh i Bashkimit Europian që legalizon kanabisin rekreativ pavarësisht kundërshtimeve të forta nga politikanët opozitarë dhe shoqatat mjekësore. Si hap i parë i ligjit të ri të shumë debatuar, të rriturit mbi 18 vjeç janë tashmë të lirë që të mbajnë 25 gramë kanabis të tharë dhe të kultivojnë deri në 3 rrënjë kanabisi në shtëpi. Kjo e bën Gjermaninë që të ketë një nga ligjet më liberale për kanabisin në Europë bashkë me Maltën dhe Luksemburgun, të cilat e kanë legalizuar përdorimin rekreativ në 2021-shin dhe 2023-shin respektivisht. Holanda, e cila njihet për qëndrimin e saj ndaj drogës, vitet e fundit ka krijuar një qasje më të rreptë kundër turizmit të kanabisit.
Sa i përket Gjermanisë, ligji i ri hyri në fuqi pas mesnatës. Qindra persona e pritën këtë vendim në Portën e Brandenburgut në Berlin, shumica e tyre duke ndezur cigare dhe duke e quajtur si një “moment lirie”. Hapi i radhës i reformës ligjore është se nga 1 Korriku do të mundësohet sigurimi i ligjshëm i barit përmes “klubeve të kanabisit”. Këto shoqata të rregulluara me ligj do të lejohen të kenë deri në 500 anëtarë secili dhe të shpërndajnë deri në 50 gramë kanabis për person çdo muaj. Deri atëherë “konsumatorët nuk duhet t’ia tregojnë policisë se ku e blenë kanabisin” në një event në rast të ndonjë kontrolli, tha Georg Wurth, drejtori i Shoqatës Gjermane të Kanabisit.
Planet fillestare që kanabisi të shitej përmes dyqaneve të licencuara u shuan për shkak të kundërshtimit të BE-së. Megjithatë mediat shkruajnë se një ligj i dytë po përgatitet për të provuar shitjen e drogës në disa dyqane në një projekt pilot. Qeveria e drejtuar nga Kancelari Olaf Scholz argumenton se legalizimi do të ndihmojë që të mos rritet tregu i zi i kësaj substance. Megjithatë shoqatat e shëndetit kanë ngritur shqetësimet e tyre se legalizimi mund të çojë në rritjen e përdorimit mes të rinjve, të cilët përballen edhe me rrezikun më të lartë të shëndetit.
Përdorimi i kanabisit tek të rinjtë mund të ndikojë në zhvillimin e sistemit qendror nervor, duke çuar në riskun e lartë të zhvillimit të psikozave dhe skizofrenisë.
“Nga këndvështrimi ynë, ligji siç është shkruar, është një katastrofë”, tha Katja Seidel, një terapiste në një qendër rehabilitimi për të rinjtë e varur nga kanabisi. Edhe ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, i cili është doktor, tha se konsumimi i kanabisit mund të jetë i rrezikshëm, veçanërisht tek rinia. Qeveria ka premtuar fushata të gjera informative për të rritur ndërgjegjësimin dhe të nxitur programet e mbështetjes. Po ashtu në ligj theksohet se kanabisi do të mbetet i ndaluar për fëmijët dhe adoleshentët nën 18 vjeç, brenda 100 metrave nga shkollat, kopshtet dhe këndet e lojërave.
Ligji ka pasur kritika edhe nga policia, e cila frikësohet se do të jetë e vështirë për t’u zbatuar.
“Nga 1 Prilli, kolegët tanë e gjejnë veten në situata konfliktuale me qytetarët, pasi paqartësia mbizotëron nga të dyja palët”, tha Alexander Poitz, zv/president i Unionit policor GdP.
Një tjetër çështje e mundshme është se ligji do të shpallë një amnisti për veprat e lidhura me kanabisin duke krijuar “një dhimbje koke administrative” për sistemin ligjor. Sipas Shoqatës Gjermane të Gjyqtarëve, falja mund të aplikohet në më shumë se 200 mijë raste të cilat duhet të shikohen dhe procesohen. Opozitari Friedrich Merz tha se ai do ta shfuqizojë menjëherë ligjin nëse partia e tij formon qeverinë pas zgjedhjeve që do të mbahen vitin e ardhshëm. Ndërsa ministri i Financave, Christian Lindner tha se ligji është një lëvizje e përgjegjshme e cila është më e mirë se sa t’i drejtosh njerëzit drejt tregut të zi të drogës. “Ligji i ri nuk do të sjellë kaos”, tha ai.
Çfarë lejon ligji
Nga 1 Prilli
Qytetarët mbi 18 vjeç mund të posedojnë 25 gramë kanabis në publik
Të rritur mund të rrisin deri në 3 rrënjë kanabis për shtëpi
Njerëzit nuk do të lejohen të tymosin brenda rrethimit të shkollave, qendrave sportive, ose në “zonat e këmbësorëve” nga ora 7:00 deri në 20:00
Nga 1 Korriku
Mund të krijohen duke pasur deri në 500 anëtarë shoqatat e kultivuesve ose “klubet sociale”
Anëtarët duhet të jenë mbi 18 vjeç dhe të jetojnë në Gjermani
Klubet mund të rrisin dhe të shpërndajnë kanabis sipas një baze dhe jo për qëllime fitimprurëse
Nuk do të lejohet konsumimi i barit në këto vende