Në Shqipëri, gratë jetojnë më gjatë se burrat. 3.5 vite më shumë është hendeku midis dy gjinive, sipas të dhënave për jetëgjatësinë të publikuara nga Eurostat për vitin 2022.
Pavarësisht një rënie gjatë fillimit të pandemisë Covid-19, jetëgjatësia nisi të rritej sërish në vendin tonë 2 vite më parë. Konkretisht, jetëgjatësia mesatare te burrat arriti në 77.4 vjet, ndërsa tek gratë 80.9 vjet. Çka tregon se gratë jetuan mesatarisht 3.5 vite më shumë.
Mesatarisht shqiptarët jetojnë 79.1 vite duke arritur kështu përsëri nivelin e 2019. Edhe pse jemi poshtë mesatares së Bashkimit Europian, krahasuar me rajonin ne kemi moshën më të lartë të jetëgjatësisë. Pas Shqipërisë, vjen Kroacia me 77.7 vjet, Serbia 75.2 vjet, Mali i Zi 73.8 vjet dhe më pak nga të gjithë Maqedonia e Veriut me 73.2 vjet.
Ndalur në Bashkimin Europian mesatarja e jetëgjatësisë arriti në 80.6 vjet në 2022 me 0.5 vjet më shumë nga viti 2021. Gjatë dy dekadave, që nga viti 2002, vlera më e lartë u regjistrua në vitin 2019 kur jetëgjatësia në lindje arriti në 81.3 vjet. Në vitin 2022, jetëgjatësia në lindje në BE u rrit, por nuk arriti vlerën e vitit 2019.
Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Europën statistikat tregojnë se gratë jetojnë më shumë se burrat.
Nëse i krahasojmë sipas shteteve më gjatë njerëzit jetojnë në Lihtenshtajn, pasuar më tej nga Zvicra dhe Spanja. Ndërsa nëse ndalemi sipas rajoneve, jetëgjatësinë më të lartë në lindje e regjistron rajoni spanjoll i Comunidad de Madrid (85.2 vjet), i ndjekur nga Provincia Autonoma di Trento në Itali (84.4 vjet), Ile de France në Francë (84.1 vjet), Stokholmi në Suedi ( 84.0 vjeç), dhe Comunidad Foral de Navarra në Spanjë (83.9 vjet).