Njihuni me kryebashkiakun e Komunës së Leposaviçit, i cili refuzohet nga shumica e banorëve dhe që ka mbetur i bllokuar për shkak të tensioneve mes shqiptarëve dhe serbëve që përshkallëzuan në dhunë më herët gjatë vitit”, kështu e nis Reuters, reportazhin kushtuar kryebashkiakut të komunës veriore, Lulzim Hetemi, i cili siç thotë ka jetuar dhe fjetur në zyrën e tij që prej muajit maj, i ruajtur nga trupat e NATO-s dhe policisë speciale të Kosovës.
“Kush dëshiron të qëndrojë në zyrë dhe të flejë në karrige? Siç e dini, fillimi ishte shumë i vështirë. Ky vend ishte i mbushur me polici dhe njësi speciale. Situata ishte shumë e tensionuar. Kush do të qëndrojë larg familjes, larg fëmijëve. Kjo është thjesht dashuri për atdheun dhe për sovranitet”, shprehet Lulzim Hetemi.
Hetemi, një rritës bletësh, u zgjodh me vetëm 100 vota në zgjedhjet e bojkotuara nga serbët etnikë, të cilët përbejnë 97 për qind të popullsisë totale të Leposaviçit.
Ndërsa shqiptarët etnikë përbëjnë shumicën dërrmuese të 1.8 milionë banorëve të Kosovës, 50,000 serbë në veri të saj refuzojnë shtetësinë e Kosovës dhe e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre, 15 vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë pas një kryengritjeje guerile. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Trazirat në veri u intensifikuan pasi kryetarët shqiptarë etnikë morën detyrën në zonën me shumicë serbe, një veprim që bëri që SHBA dhe aleatët e saj të qortonin Prishtinën. Popullsia serbe kishte bojkotuar zgjedhjet, të cilat u zhvilluan në katër komuna veriore pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqjen në një mosmarrëveshje të gjatë mbi regjistrimin e makinave.
Rajoni verior ka parë dhunën më të keqe këtë vit që nga pavarësia, duke filluar që nga ngjarja e ndodhur më 24 shtator kur disa persona të armatosur serbë sulmuan policinë në fshatin Banjska, ku u vra polici nga Kosova Afrim Bunjaku dhe 3 persona të armatosur humbën jetën.
Menjëherë pasi mori detyrën, protestues të dhunshëm rrethuan zyrën e tij duke i kërkuar të largohet. Hetemi refuzoi dha thotë se ka qëndruar brenda godinës që prej 29 majit, pa u kthyer në shtëpi për asnjë ditë të vetme
“Gruaja ime më thotë: do të kthehesh në shtëpi ose do të të lë…Po bëj shaka se ajo e di përse jemi këtu…nuk e ka problem”, shprehet Lulzim Hetemi.
Siç rrëfen, më vonë kishte gjetur një shtrat për të zëvendësuar karriget në të cilat flinte, duke e vendosur në një dhomë ngjitur me zyrën, ku takohet me të dërguarit ndërkombëtar dhe zyrtarët e NATO-s, të cilët po përpiqen të parandalojnë dhunë të mëtejshme dhe të gjejnë rrugëdalje drejt mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Kostume zyrtare varen nëpër mure ndërsa në tryezë dallohen tre shishe mjaltë, njëra prej të cilave gati e boshatisur. Ish stafi komunal refuzoi ti shërbente kryebashkiakut shqiptar dhe u zëvendësua nga 75 punonjës të tjerë që janë gjithashtu serbë.
Hetemi thotë se është treguar i kujdesshëm duke mos prekur asgjë që i përkiste administratës së mëparshme, përfshirë dhjetëra pije alkoolike.
“Nuk kemi prekur asgjë. As pijet alkoolike, librat, flamujt serbë e madje as piktura e tyre…Kur të vijnë do të gjejnë gjithçka siç e kanë lënë pasi ne nuk duam të shkatërrojmë asnjë”, shprehet Lulzim Hetemi.
Dalja e vetme që Hetimi bën çdo ditë, është ajo në ballkon, ku merr ajër të pastër dhe sheh nga kati i tretë ushtarët e NATO-s. Ai thotë se është gati t’i japë fund mandatit të tij kur të thirren zgjedhjet e reja, por ende nuk ka një marrëveshje për këtë në negociatat e ndërmjetësuara nga BE, mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një sinjal progresi, banorët lokale kanë kërkuar shërbimet e kryebashkiakut në mënyrë që të regjistrojnë automjetet e tyre. Kryeministri Kurti ka caktuar 15 dhjetorin si afat për regjistrimin e rreth 10 mijë automjeteve, me targa të Kosovës, ose do të përballen me gjoba të rënda.